Bojko Borisov, kryeministri i Bullgarisë që po përpiqet ta shfrytëzojë sa më shumë Presidencën e saj europiane për t’i dhënë një shtysë anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi pas takimit dypalësh me kreun e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker se turi i këtij të fundit tregon qartazi rëndësinë që ka rajoni për bllokun.
“Rajoni është pjesë integrale e Europës dhe përfshirja e tij në zonën e përbashkët europiane të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik është e një rëndësie kyçe për stabilitetin afatgjatë të të gjithë Bashkimit Europian”, tha Borisov.
Kreu i ekzekutivit bullgar theksoi nevojën që projekte të rëndësishme si ato infrastukturore të marrin mbështetjen e KE-së.
“Ngritja e infrastrukturës strategjike do të nxisë tregtinë e lirë, investimet, konkurrueshmërinë, e lëvizjet e kapitalit, ndërsa bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe kulturës do të garantojë pajtimin e marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, u shpreh ai.
Vetë Juncker duke folur pas samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në sofje, mes të cilëve ishte dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se po kthehej në Bruksel akoma edhe më i bindur se më parë që vendi i rajonit është në BE.
Top Channel