Anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme në Kuvendin e Kosovës votuan për ndryshimin e projektligjit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Në draftin e ndryshuar është përfshirë pakti i arritur gushtin e vitit 2015, mes Kosovës dhe Malit të Zi, ujdia e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe i gjithë materiali i Komisioneve shtetërore për orientim.
Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pakënaqësi, e thotë se komisioni në fakt ka tjetërsuar marrëveshjen e arritur ditë më parë mes partive politike AAK-PDK-LDK-Nisma.
Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani e hedh poshtë një gjë të tillë, e pohoi për mediet vendase se organizmi që ajo drejton nuk ka bërë vet asnjë lloj ndryshimi, thjesht ka votuar marrëveshjen e njëjtë të propozuar në seancën e Kuvendit nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Amendamenti i miratuar në komision është identik me atë të propozuar në seancë”, këmbëngul Osmani.
Pështjellimin e shton deklarata e nënkryetares së këtij komisioni, Time Kadrijaj e AAK-së, që thotë se ajo dhe anëtarët e tjerë kanë votuar marrëveshjen e arritur ditë më parë mes partive, e jo atë që është prezantuar së fundi.
Të mërkurën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e akuzoi hapur Lidhjen Demokratike të Kosovës se e ka ndryshuar marrëveshjen mes partive për projektligjin mbi Demarkacionin me Malin e Zi.
Kuvendi i Kosovës dështoi për të tretën herë ta ratifikonte këtë marrëveshje, pavarësisht faktit që ajo u votua në ditën kur Prishtinën e vizituan 3 nga zyrtarët më të lartë të BE-së.
Top Channel