Juncker, në Kosovë: Demarkacioni, kusht për liberalizimin e vizave

28/02/2018 18:34

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është vendimtare për liberalizimin e vizave, prandaj duhet miratuar sa më shpejt. Ky ishte mesazhi që përcolli në Prishtinë, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

“Është thelbësore që Kuvendi të votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë”, tha Jean-Claude Juncker.

Zyrtari i lartë vizitoi Prishtinën së bashku me shefen e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, Juncker tha gjithashtu se përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të thellohen edhe më shumë.

Ndërsa theksoi se prania e udhëheqësve europianë në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së ndaj Kosovës, Thaçi kërkoi trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit.

“Vizita juaj u jep mbështetje përpjekjeve tona për anëtarësim në BE. Bashkimi Europian është pjesë përbërëse e historisë sonë, përkushtimit tonë të sotëm dhe i së ardhmes tonë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës siguroi zyrtarët e lartë europianë se Demarkacioni do të votohet në ditët në vijim. Juncker, Mogherini dhe Hahn u takuan edhe me kryetarin e Kuventit, Kadri Veseli, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA