Mbi dyzetmijë shtetas të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia që nga viti 2009 e këndej, bëjnë të ditur zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas të dhënave të katër vjetëve të fundit, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. tendenca e heqjes dore nga nënshtetësia ka shënuar rritje nga viti 2014.
Në vitin 2014 nga nënshtetësia e Kosovës kanë hequr dorë 5,158 persona, kurse më 2016, ky numër ka shënuar rritje në 5,871 persona. Sipas zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës, vjen nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në Gjermani.
Arsyet kryesore të heqjes dorë nga shtetësia janë marrja e shtetësisë së ndonjë vendi tjetër të Bashkimit Evropian, i cili nuk lejon dyshtetësinë për shtetas që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.
Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë konsiderojnë se një nga arsyet e lirimit të qytetarëve nga nënshtetësia e Kosovës dhe marrja e shtetësisë së një shteti tjetër, përveç tjerash, është edhe ngecja që ka shënuar vendi në zhvillimin e gjithmbarshëm, në veçanti atë ekonomik dhe kjo nuk është aspak një gjë e mirë.
Fajtore për këtë, është shoqëria në përgjithësi e Kosovës, e cila, ka dështuar në krijimin e një ekonomie të zhvilluar, që siguron mirëqenie më të mirë për qytetarët.
Shoqëria civile pret që numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, që do të heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të tyre, të rritet në të ardhmen, për shkak se mundësitë që iu ofrojnë shtetet ku ata jetojnë, janë shumë më të mëdha nga çfarë ju ofron Kosova.
Top Channel