Politikani serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç është vrarë me një armë automatike “Heckler & Koch”, e jo siç ishte njoftuar më parë nga një pistoletë “Zastava” e kalibrit 9 mm.
Këtë e bën të ditur gazeta serbe “Vecernje Novosti”. Duke cituar burime të hetuesisë në Kosovë, ajo pohon se në ditën e vrasjes, më 16 janar, një automjet i llojit “Opel Astra” e ka ndjekur Ivanoviçin që nga momenti kur ai doli nga banesa e tij në Mitrovicë, e deri para selisë së partisë në rrugën “Sutjeska”.
Kur Ivanoviç iu afrua portës së oborrit ku gjenden zyrat e partisë, një person që gjendej në sediljen e pasme të veturës ka hapur zjarr mbi të. Sipas rezultateve të autopsisë, Ivanoviç u qëllua me 6 plumba në pjesën e sipërme të gjoksit.
Vrasësit, sipas “Vecernje Novosti”, u arratisën me të njëjtën makinë drejt shkollës mjekësore dhe fshatit Brdani, ku edhe i vunë zjarrin automjetit.
Top Channel