Gjendet avioni i rrëzuar në Iran, asnjë i mbijetuar

19/02/2018 12:00

Të afërmit e 65 personave, që gjendeshin në bordin e avionit të rrëzuar në Iran, presin të dëshpëruar për lajme.

Media shtetërore thotë se avioni i pasagjerëve, që u rrëzua në malet “Zagros” të dielën, është gjetur.

Të gjithë personat që ndosheshin në bord druhet të kenë vdekur. Era e fortë dhe bora detyruan skuadrat e shpëtimit të ndërprisnin punën mbrëmjen e së dielës.

Avioni me dy motorë, “ATR 72-500” po udhëtonte nga Teherani drejt qytetit perëndimor Yasuj. Ai u nis nga Teherani në orën 4:30 të mëngjesit të së dielës dhe u rrëzua rreth një orë më vonë.

Avioni, sipas Organizatës iraniane të Aviacionit Civil ishte 25-vjeçar. Skuadrat e kërkim-shpëtimit nisën punën për të gjetur vendin ku ishte rrëzuar avioni, por nuk mundën të vijonin operacionin.

59 pasagjerë, dy roje sigurie, dy asistentë fluturimi, piloti dhe bashkëpiloti ndodheshin në bord.

“Aseman Airline” tha fillimisht se të gjithë në bord kanë humbur jetën, por më vonë njoftoi se falë rrethanave të veçanta në rajon nuk është mundësuar ende qasja në vendin e aksidentit, ndaj nuk mund të konfirmojnë me saktësi viktimat.

Irani ka pësuar disa aksidente ajrore në vitet e fundit dhe ka një flotë të vjetëruar avionësh. “Aseman” është kompania e tretë ajrore më e madhe në vend, e nënshkroi vitin e shkuar një kontratë me “Boeing” për të blerë 30 avionë të rinj “737”.

Top Channel