Tragjedi gjatë një sfide virale në TikTok, e reja mbytet me një copë pule dhe humb jetën para syve të miqve
Një sulm i gjerë kibernetik ka prekur 178 organizata dhe faqe interneti në mbarë botën, përfshirë disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë si CNN, BBC, Zoom, IKEA, Fox News, HSBC dhe Salesforce.
Sipas raportimeve, sulmuesit kanë shfrytëzuar platformën teknologjike Optimizely për të injektuar kode keqdashëse në faqet e internetit të këtyre organizatave, duke ekspozuar vizitorët ndaj rrezikut të vjedhjes së të dhënave personale dhe financiare.
Kodi keqdashës ishte projektuar për të vjedhur të dhënat e kartave bankare, për të ndërhyrë në transaksionet me kriptomonedha, si dhe për të marrë cookie-t e shfletuesve dhe pamje nga ekranet e përdoruesve.
Një tjetër objektiv i sulmit kanë qenë pajisjet Apple. Sipas studiuesve të sigurisë kibernetike, kodi përmbante mjete shfrytëzimi të dobësive të sigurisë në iPhone dhe iPad.
Hetimet kanë zbuluar se hakerët tentonin të zëvendësonin adresat e kuletave të kriptomonedhave me adresa të kontrolluara prej tyre, në mënyrë që paratë e përdoruesve të përfundonin në llogaritë e sulmuesve.
Deri më tani janë identifikuar transaksione me kriptomonedha në vlerë mbi 7 mijë dollarë drejt kuletave të kontrolluara nga hakerët. Megjithatë, ende nuk dihet numri i saktë i personave të cilëve u janë vjedhur të dhënat bankare apo u janë komprometuar pajisjet.
Sipas studiuesve, sulmi u zbulua të hënën, më 16 nëntor, pasi u identifikua prania e kodeve të dyshimta në skedarët e platformës Optimizely, e cila përdoret nga kompanitë për të testuar dhe përmirësuar funksionimin e faqeve të tyre.
Për shkak se kodi keqdashës shpërndahej përmes një platforme të besuar dhe përdorej nga vetë faqet zyrtare, vizitorët nuk kishin arsye të dyshonin se po ekspozoheshin ndaj një sulmi.
Ndërkohë, disa prej kompanive të prekura kanë nisur hetimet dhe kanë marrë masa parandaluese. Salesforce ka çaktivizuar skriptet e dyshimta, ndërsa Equifax ka ndërprerë përdorimin e Optimizely-t, duke deklaruar se nuk ka gjetur prova për komprometimin e sistemeve të saj.
Edhe IKEA po shqyrton ndikimin e mundshëm të incidentit në shërbimet e saj digjitale dhe te klientët.
Për momentin, autoritetet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike po përpiqen të përcaktojnë përmasat e plota të sulmit dhe dëmet e shkaktuara.
Top Channel