“Sony Pictures” kërkoi ndjesë për skenën e filmit të ri “Lepurushi Piter”, ku shihet një bandë lepujsh duke sulmuar me manaferra një personazh alergjik ndaj tyre.

Reagimet ishin aq të forta, sa producentët e filmit u detyruan të nxjerrin një deklaratë, ku thuhet se nuk duhej ta kishin prekur këtë temë.

Fondacioni bamirës “Kids with Food Allergies” ishte një prej zërave kundërshtarë dhe përmes një postimi në Facebook e bëri të qartë sesa të dëmshme janë për komunitetin shakata me alergjitë ushqimore.

“Twitter”-i u mbush shumë shpejt me hashtagun #boycottpeterrabbit, ndërsa peticioni që i bënte thirrje “Sony Pictures” për një apologji mblodhi me mijëra firma.

Skena ofenduese e filmit, të frymëzuar nga libri me të njëjtin emër i Beatrix Potter, tregon personazhin njerëzor Tom McGregor, i cili është alergjik ndaj manaferrave, ndërsa sulmohet me këtë frut nga Piteri dhe shokët e tij, deri në pikën që detyrohet të përdorë një injektues automatik ilaçesh, “EpiPen”, për të trajtuar reaksionin e tij.

Alergjitë ushqimore mund të shkaktojnë të vjella, enjtje të fytit e marrje fryme, ndërsa forma më e rëndë e reagimit është anafilaksia, e cila mund të jetë vdekjeprurëse nëse nuk merr trajtim të menjëhershëm.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA