Barazimi në fundin e ndeshjes ndaj Kukësit i la vend shpërthimit të trajnerit të Flamurtarit kundër arbitrave, të cilët i akuzoi si kamikazë dhe të qëllimshëm.
Shpëtim Duro nuk i kurseu sulmet ndaj gjyqtarëve, që kanë reaguar zyrtarisht në lidhje me deklaratat, që ata i quajnë denigruese dhe që cënojnë integritetin e tyre.
“Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro përdor një gjuhë dhe fjalor ofendues në adresë të arbitrave, e kjo sjellje duhej të ishte pjesë e komisioneve përkatëse. Është Komisioni i Vlerësimit, i cili bën vlerësimin e vendimeve të arbitrit, vendime të cilat në shumë raste, edhe kur personi në fjalë i ka kontestuar, ato kanë qenë konform rregullores së lojës. Shoqata e Arbitrave kërkon nga të gjithë aktorët, që të ketë sa më shumë ‘Fair Play’. Shoqata kërkon me forcë nga komisionet përkatëse të mbahet një qëndrim konform rregulloreve të Disiplinës, sepse deklarata të tilla prishin jo vetëm imazhin e arbitrit, por krijojnë nëpër shkallët e stadiumeve një klimë jo miqësore”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Arbitrave.
Pas ndeshjes së barazuar në Kukës, trajneri Duro u ankua se, në përballjet e fundit ekipi bregdetar ishte penalizuar me vendime të padrejta, si penalltia dhe kartonat.
Top Channel