Stërvitje “sheikësh” për lojtarët e Manchester United

08/02/2018 17:14

Mes futbollistëve ka gjithnjë konkurrencë për një vend titullari në çdo ekip, por kjo në futboll konsiderohet si diçka që sjell dobi në të mirë të lojës, pasi dihet që futbolli është sport kolektiv dhe jo individual.

Por, te Manchester United duket se ka edhe një “garë” të një lloji tjetër: atë se kush e ka makinën më të mirë!

Shumëllojshmëria e automjeteve që përdorin futbollistët e “djajve të kuq” doli në pah mëngjesin e kësaj të enjteje, kur lojtarët nisën të grumbulloheshin në qendrën stërvitore për t’u përgatitur për një tjetër fundjavë aktiviteti sa i përket Premier League.

Ajo që ra në sy është se, dy nga lojtarët më të shtrenjtë të Manchester United, Romelu Lukaku dhe Paul Pogba, mbërritën në kompleksin stërvitor “Carrington” me “bishat” e tyre të personalizuara, një “Rolls Royce Ghost” dhe një tjetër “Rolls Royce Wraith”, me belgun që i është dashur të parakalojë një traktor me automjetin e tij luksoz në rrugicat e ngushta të periferisë së qytetit.

Ndërsa Nemanja Matiç u shfaq më modest, duke shkuar në stërvitje me një “Mini Countryman”. Dy modelet e “Rolls Royce” kanë një vlerë prej rreth 250 mijë paund, mjaftueshëm sa për të blerë 10 “Mini Countryman” me të gjitha opsionet.

Ndryshe nga këta, veterani suedez Zlatan Ibrahimoviç, i cili njihet si një lojtar aspak modest, këtë herë është shfaqur më shumë se kurrë patriot, duke drejtuar një automjet “Volvo”.

Por nuk mjafton me kaq. Blerja më e fundit e United nga Arsenali, i cili u bë edhe lojtari me pagën më të lartë te “djajtë e kuq” janarin që lamë pas, Alexis Sanchez duket se zgjedh të shkojë në stërvitje me një “Bentley Continental”.

Mos ndoshta edhe kjo “garë” mund të sjellë përfitueshmëri mes ekipit të drejtuar nga Jose Mourinho përpara sfidës së të dielës ndaj Newcastle?

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA