Përse humbi Bashkim Fino? Nga premtimet “politike”, te llogaria e votave

08/02/2018 20:04

Asambleja e Përgjithshme zgjedhore e FSHF-së i dha fund një fushate të ashpër me ngjyrime politike, plot me akuza dhe tensione mes dy kandidatëve për presidentë, Armand Duka dhe Bashkim Fino.

Fitorja e mandatit të pestë si president i FSHF-së nga Armand Duka ishte verdikti i familjes së futbollit, ne një proces votimi me dy raunde. Pas të parit, në balotazh kandidatit tjetër Bashkim Fino nuk i mbeti gjë tjetër, veçse ta uronte fituesin e t’i rikthehej të përditshmes së tij politike.

Bashkim Fino, ndonëse i dorëzoi postet partiake, por pa e lënë mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, kërkoi deri në fund votëbesimin e familjes së futbollit, duke e mbështetur fushatën e tij te kryetarët e majtë të bashkive, me synim për të shfrytëzuar staturën e tij politike dhe ndikimin e partisë që ai përfaqëson.

Pjesa më e madhe e këtyre kryetarëve të bashkive, të majta, por edhe të djathta, nuk kanë ndonjë interes të spikatur për klubin e futbollit, të cilin shpesh e konsiderojnë një problem më shumë të problematikave lokale.

Për këtë arsye, prania e tyre në një ambient sportiv, si ky i botës së futbollit, bëhet irrituese për komunitetin, i cili gjithmonë është ndierë i përdorur, qoftë në raste suksesesh, apo edhe kur detyra partiake, si në këtë rast, i thërret.

Premtimet e Finos për 5 stadiume të reja, apo trefishim fondesh për klubet e futbollit, duket u ngjanë atyre premtimeve elektorale partiake të pranishmëve me drejtë vote në Asamble. Statusi i politikanit i Finos solli një efekt “boomerang”, që ndikoi te pritshmëritë e tij për vota.

Gjithsesi, 15 kryetarët e majtë të bashkive patën një kontribut të madh në 22 votat e kandidatit Fino në raundin e parë.

Ndërkohë, 39 votat e Dukës, së bashku me 4 të pavlefshme që nuk ishin konform rregullores së votimit, ishin shifrat që ai pretendonte që para Asamblesë.

16 vitet e tij në krye të futbollit do të ishin një konsum shumë më i madh, pa kualifikimin në Europian, apo ndërtimin e 3 stadiumeve të rinj dhe përmirësimit në përgjithësi të infrastrukturës, që ishin një bonus i ndjeshëm për Dukën.

Raundi i dytë ishte një formalitet. 38 votat e shpallën Armand Dukën sërish president, me 14 vota diferencë me rivalin e tij, një shifër që ishte gjithsesi më shumë se 12 shoqatat që Fino do të dëshironte të ishin jashtë kësaj Asambleje, pasi sipas tij bënin diferencën e suksesit të presidentit të FSHF-së.

Gjithçka u mbyll me një përqafim e urim mes dy kandidatëve. Duka rikthehet në zyrën e tij në Federatë dhe Fino sërish në politikë dhe Parlament. Aty ku gjendet edhe anëtari më i ri i Komitetit Ekzekutiv, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili falënderoi votuesit e tij me mospraninë në Asamble.

Në rutinën e tyre u kthyen edhe të gjithë kryebashkiakët, të majtë dhe të djahtë, deri kur në sport të aspirojë për të drejtuar një tjetër politikan, e ata të nxitojnë për të kontribuar me votë në asamble…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA