Kryesia e Parlamentit të Kosovës, shtyu në kohë të pacaktuar shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, në pritje të një pajtimi ndërmjet partive politike që janë thellësisht të ndara rreth kësaj çështjeje.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se çështja e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është edhe në interes të së ardhmes evropiane të vendit dhe janë duke u bërë përpjekje për të arritur një konsensus rreth saj.

“Ne jemi duke punuar shumë seriozisht, jemi duke punuar së bashku në mënyrën që të arrijmë një zgjidhje e cila është e konsensusit kombëtar, në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që të jetë pikë e konfrontimit çështja e cila është e interesit strategjikë siç shënimi i kufirit shtetëror të Kosovës me fqinjët tjerë. Kjo është edhe arsyeja pse po lëvizim dal ngadalë por po lëvizim sigurt dhe me një vendimmarrje që është në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë”, tha zoti Veseli.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtoi shtyrjen. Shefi i grupi të saj parlamentar, Avdullah Hoti tha se është për keqardhje që koalicioni qeveritar nuk po arrin të marr vendime të mëdha.

“Tri vjet po bëhen që kjo temë sillet poshtë e lartë në pamundësi për të adresuar nga spektri politik. Ky koalicion është themeluar për të marr këtë vendim, për vendime të mëdha dhe shihet qartë se këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime, unë besoj se kështu nuk mund të vazhdohet më tutje”, tha zoti Hoti.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike janë vënë në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Malin e Zi në përpjekje për të tejkaluara situatën në të cilën është futur Kosova që nga viti 2015, kur është nënshkruar marrëveshja. Autoritetet vendase po synojnë që nëpërmjet një marrëveshjeje të korrigjojnë siç thuhet gabimet e bëra nga ish Komisioni për Shënimin e kufirit.

Çështja pritet të shtrohet edhe nesër gjatë vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviç në Prishtinë. Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.

Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi vazhdon të mbetet një ndër sfidat më të mëdha për qeverinë e Kosovës që drejtohet nga zoti Ramush Haradinaj, një nga kundërshtarët kryesor të saj.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Dështimi për ta përmbushur këtë kriter mund t’i kushtojë Kosovës.

Top Channel