Fshatrat e Vlorës dhe të Fierit janë përballur sërish të parët me “zemërimin” e Vjosës. Është dashur angazhimi i 150 efektivëve dhe 15 mjeteve të Forcave të Armatosura për evakuimin e dhjetëra familjeve në Novoselë.

Në Fier janë evakuuar shtëpitë buzë urës së Mifolit dhe banorët e fshatit Ferras, por në rrezik janë 7 fshatra.

Edhe lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati pranë urës së Rrogozhinës, ku janë përmbytur tokat bujqësore. Banorët ndihen të frikësuar dhe kërkojnë ndihmë për të ndrequr argjinaturën që e kanë prishur për të kaluar bagëtitë gjatë verës.

Shkumbini ka marrë me vete edhe një urë të varur në fshatin Polis në Librazhd.

Nuk ka kursyer zemërimi i natyrës edhe atë çfarë njerëzit prej kohësh e neglizhojnë, ura 200-vjeçare e Hoshtevës, e cila siç shihet nga fotot e dërguara nga banorët nuk ekziston më. Ndërtimi monument kulture i kategorisë së parë datonte nga koha e Ali Pashë Tepelenës. Një tjetër urë e ngjashme u shemb edhe në Orgockë të Kolonjës.

Në Gjirokastër, rruga nacionale në hyrje të qytetit, gjatë paradites ishte e pakalueshme për mjete të vogla.

Edhe lumi Osum në Berat ka arritur pikën kritike. Ka kursyer lagjet e Beratit, por jo Urën Vajgurore, ku ka marrë para toka e shtëpi.

E gjithë kjo situatë ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka dërguar në Fier, Vlorë e Shkodër grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcës me automjete të larta dhe varka e gomone.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA