Shkëlzen Berisha në Prokurori; rihapet çështja e privatizimit të OSSH nga CEZ

02/02/2018 09:03

Mbrëmjen e së enjtes Shkëlzen Berisha hyri në prokurori për t’u larguar gjysmë ore më pas. Djali i ish-kryeministrit Berisha u thirr nga organi i akuzës për t’u pyetur për çështjen e privatizimit të OSSH.

Thirrja e Shkëlzen Berishës iu la detyrë prokurorisë disa javë më parë nga Gjykata e Tiranës, që refuzoi mbylljen e çështjes dhe e detyroi prokurorinë të rihapë hetimet për këtë privatizim.

Privatizimi i OSSH-së në vitin 2009 te kompanie çeke CEZ u bë objekt i një komisioni hetimor parlamentar, në përfundim të të cilit socialistët thonë se shtetit iu shkaktua një dëm prej 414 milion euro.

Socialistët akuzuan se procesi i privatizimit ishte fiktiv, me fitues të paracaktuar dhe me favorizime që vazhduan edhe pas marrjes së kompanisë nga çekët.

Shkëlzen Berisha dhe Sali Berisha u paraqitën përpara komisionit parlamentar, por duke refuzuar të japin dëshmi para Taulant Ballës. Nëse ish-kryeministri e cilësonte shpifës, djali i tij Shkëlzeni deklaroi se kryetari i komisionit ishte në konflikt interesi pasi ishte dënuar nga gjykata për shpifje në dëm të tij.

Shkëlzen Berisha është një ndër emrat e rreshtuar në raportin përfundimtar të këtij komisioni hetimor, shoqëruar me kërkesën për procedim penal për veprat “refuzim për të dëshmuar” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Top Channel i kërkoi një prononcim Shkëlzen Berishës, por nuk mori përgjigje. Djali i ish-kryeministrit përmes një postimi në Facebook deklaroi se aktiviteti, të ardhurat, puna dhe veprimtaria e tij nuk kanë asnjë lidhje me privatizimin e OSSH-së.

Top Channel