“100 fshatrat”, si funksionon financimi i Qeverisë?

02/02/2018 14:55

Programi “100 fshatrat” u bë pjesë e skemës kombëtare të subvencioneve me një vendim të Këshillit të Ministrave, që synon të nxisë ekonominë e fshatit.

Për Kryeministrin, kjo skemë përbëhet nga kushtet që i duhen fshatit për ekonominë e së ardhmes.

“Kushte të reja për ta parë jetën në fshat si një të ardhme të lidhur, jo thjesht me prodhimin bujqësor në funksion te tregut, por edhe si zhvillim turistik me bazë bujqësore”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Por si do të funksionojë financimi? Ministria e Bujqësisë ka përzgjedhur 100 fshatra në të gjithë vendin ku investimet do të mbështeten me fonde.

“Kemi zgjedhur ato fshatra që kanë treguar në këto 25 vite edhe pa një politikë mbështetjeje të posaçme që të ndërtojnë diçka, pra të promovojnë një prodhim tipik, të ndërtojnë një festë tradicionale, ta kthejnë atë në një burim vizitorësh”, tha ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

Qarku me më shumë fshatra të përzgjedhur si pjesë e programit është Gjirokastra me 13 të tillë.

Planet e investimit do të paraqiten në Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rajonal, ku do të shpallen fituesit, ndërsa zbatimi i tyre do të mbikëqyret nga një grup pune i Ministrisë së Bujqësisë, Mjedisit dhe Turizmit.

Financohen nga programi “100 fshatrat”
Ndërtimi i bujtinave – deri në 150 mijë dollarë
Strukturat agro-turistike – deri në 200 mijë dollarë
Ambientet e prodhimit tradicional – deri në 10 mijë dollarë
Marketing – deri në 7 mijë dollarë
Bizneset e të rinjve 22-35 vjeç – deri në 5 mijë dollarë.

Top Channel