Pallati “Westminster”, i cilësuar shpeshherë si ndërtesa më e famshme e një Parlamenti në botë, po rrënohet nga koha.
Pas fasadës spektakolare të legjislativit britanik gjen çati që rrjedhin, kabllo elektrike që përplasen, tuba me avull që paraqesin kërcënim zjarri, sisteme të papërshatshme hidraulike dhe një azbest që përhapet rreth e qark rrezikshëm.
Në vazhdën e diskutimeve disavjeçare se çfarë duhet të bëhet me këtë godinë, ligjvënësit britanikë votuan në favor të zhvendosjes prej andej, me qëllimin të lejohet fillimi i riparimeve.
Procesi llogaritet të zgjasë të paktën 6 vite. Kjo do të jetë hera e parë që prej Luftës së Dytë Botërore, që politikanët anglezë do ta lënë masivisht strukturën historike, të rindërtuar në vitin 1840 pas një zjarri gjigant.
Përpjekjet për të rregulluar shtëpinë e “Big Ben”-it vijnë në vazhdën e komenteve të bëra nga disa politikanë vendas, të cilët e kanë përshkruar pallatin si një “kurth potencial vdekjeje”.
“Masa e planifikuar, pjesë e një modernizimi që mendohet të kapë shifrën 5.6 miliardë paund, pritet të hyjë në fuqi në një moment të përshtatshëm”, thanë ligjvënësit, pa përcaktuar sidoqoftë një afat të saktë kohor, ndërsa më herët disa zyrtarë kishin pohuar se riparimet nuk do të nisin deri në vitin 2025.
Top Channel