Holokausti, Polonia miraton ligjin kundër bashkëfajësisë me nazistët

01/02/2018 08:40

Në një lëvizje që e vendos vendin në kurs përplasjeje me Izraelin, Senati i Polonisë miratoi legjislacionin e shumëdiskutueshëm që e bën të paligjshëm akuzimin e polakëve për bashkëfajësi në Holokaustin nazist.

Ligji e ndalon gjithashtu rreptësisht përshkrimin e kampeve naziste të vdekjes atje si “polake”. Për një rast të tillë përcaktohen gjoba, ose dënim maksimal me 3 vite burg.

Propozimi solli gjatë fundjavës përplasje të ashpra mes Varshavës dhe shtetit hebre, që e akuzon Poloninë se po përpiqet të ndryshojë historinë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli që drafti të rrëzohej, me argumentin se historia nuk mund të ndryshojë e Holokausti nuk mund të mohohet.

Të mërkurën, edhe një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit i bëri thirrje ekzekutivit polak ta rishqyrtonte nismën polemizuese, duke i treguar se Uashingtonin e shqetëson fakti që ky legjislacion mund të minojë lirinë e fjalës e të thellojë ndasitë diplomatike.

Presidenti polak Andrzej Duda u përgjigj përmes një interviste televizive, ku la të kuptohet se në këtë pikë nuk kishte më kthim mbrapa dhe se vendi i tij ka të gjithë të drejtën të mbrojë “të vërtetën historike”.

Tre milionë hebrenj të Polonisë rezultojnë të zhdukur gjatë Holokaustit. Plot 6 milionë është numri i hebrenjve të vrarë gjatë përpjekjes më famëkeqe për shfarosjen e një populli të tërë. Varshava e ka kundërshtuar me kohë përdorimin e shprehjeve të tipit “kampet polake të vdekjes”, të cilat sugjerojnë në njëfarë mënyre se vendi ka ndarë përgjegjësinë për ekzistencën e kampeve të tilla të tmerrshme si “Auschwitz”-i.

Top Channel