Kanalet zyrtare vazhdojnë të ruajnë heshtjen mbi variantin më të lakuar të emrit të Maqedonisë, por mediet në Shkup, duke cituar ato greke, pretendojnë se e kanë identifikuar variantin fitues.
Ai është “Republika Gorna Makedonija”, që do të thotë “Republika Maqedonia e Epërme”.
Çështja e emrit, e kthyer në një ngërç shumëvjeçar mes dy vendeve dhe në justifikimin e Athinës për të bllokuar përpjekjet euroatlantike të fqinjit verior, duket se më në fund po i afrohet zgjidhjes.
Pas ndalesës në kryeqytetin grek, ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, Mattheë Nimetz mbërrin sot në Shkup për bisedime me krerët shtetërore.
Zyrtari i OKB-së duket optimist pas takimit në Athinë, gjatë të cilit duket e kanë bindur se qeveria greke është e sinqertë dhe aktive në zgjidhjen e problemit. Por, mbi të gjitha, Nimetz në këtë pikë beson me forcë se nga të dyja palët ekziston vullneti për arritjen e një marrëveshjeje.
Kërkesa kryesore e grekëve është që emri të jetë i përbërë dhe në gjuhën sllave. Nga sa shpjegoi shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, drafti po hartohet. Ai do t’i paraqitet fillimisht ekzekutivit grek e pastaj atij maqedonas, e nëse merr “dritën jeshile” të Shkupit do të kthehet për miratim në Parlamentin grek.
Top Channel