“3 lëndë, 6 orë”, Nikolla: Lehtësim në dobi të cilësisë. Opozita: Rrëzon planin mësimor

31/01/2018 09:53

Komisioni Parlamentar i Edukimit është përfshirë nga debatet gjatë raportimit të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për nismën “3 lëndë në 6 orë”, që do të zbatohet nga 1 shkurti në sistemin shkollor parauniversitar.

Nikolla e thirrur në seancë dëgjmore nga opozita, tha se kjo nismë është ndërmarrë nga një grup mësuesish, nxënësish dhe prindërish.

Por, kryetarja e Komisionit të Edukimit, Albana Vokshi kërkoi sqarime nëse nisma që ndryshon sistemin e mësimdhënies në shkolla është konsultuar.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit: Thërrisni grupin këtu dhe ju sqaron me zë dhe figurë një për një të gjitha pyetjet dhe përgjigjet që ju kërkoni.

Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Edukimit: Urdhrin e ngritjes së grupit të punës e ke më datë 29 dhjetor. E kupton që të cedojnë datat? Këtu një grup pune, një institucion varësie i jep urdhër institucionit qendror.

Edhe deputetët e tjerë të opozitës, Shezai Rrokaj i LSI-së dhe Luçiano Boçi i PD-së kundërshtuan nismën e Ministrisë së Arsimit duke argumentuar se futja e saj për zbatim në mes të vitit shkollor u rrëzon gjithë planin mësimor mësuesve.

Shezai Rrokaj, LSI: Gjëja më e vogël që do të bëjnë mësuesit është që do t’u hidhet në erë i gjithë plani mësimor që kanë bërë në fillim të vitit akademik.

Luçiano Boçi, PD: Ju keni disa detyrime ligjore. zhvendosja e orarit në mënyrë të tillë rrëzon poshtë të gjitha planet analitike mësimore.

Lindita Nikolla: Kjo mënyrë e re planifikimi nuk cenon as programin, as planin vjetor të orëve mësimore. Është thjeshtë një instrument dhe mundësi e re që lehtëson edhe nxënësit, edhe mësuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA