Qeveria shqiptare ka zgjedhur të heshtë për negociatat me Greqinë. Ajo pak që dihet është mësuar nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias. Por janë 2 detaje thelbësore për shqiptarët.
Greqia pretendon se Shqipëria ka rënë dakord që Greqia të zgjerojë kufirin detar në 12 milje dhe çështja çame nuk është negociuar. Sot, me kaq sa dimë, është vështirë të gjykohet për produktin final të kësaj serie negociatash komplekse, për sa kohë nuk kemi zyrtarisht një produkt.
Por pohimet e zotit Kotzias ngrenë disa pyetje. A ka pranuar qeveria e Edi Ramës në terma të tjerë atë që negocioi qeveria e Sali Berishës?
Nëse marrëveshja është e ndryshme nga e para, për të cilën socialistët akuzuan demokratët se shitën interesat e Shqipërisë, përse kryeministri Rama apo ministri Bushati nuk japin detaje?
Qeveria shqiptare mund të ketë arritur marrëveshjen më të mirë të mundshme në kushtet kur vendi po troket në dyert e Bashkimit Europian dhe vota e Greqisë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të mund të jenë vendimtare për vendin.
Por nëse qeveria shqiptare nuk jep detaje, publiku, përfshirë aktorët e ndryshëm politikë, kanë të drejtë të shqetësohen. Nuk është hera e parë që ministri i Jashtëm grek flet përpara homologut shqiptar, në intervista me disa gazetarë grekë, që i ngjajnë një seance llogaridhënie me opinionin publik.
Kurse pala shqiptare ka një lloj sikleti, kur i duhet të flasë për tema si varrezat e ushtarëve grekë, kufiri detar me Greqinë apo çështja çame. Mos vallë Shqipëria ka lëshuar më shumë sesa ka marrë? Mos vallë arritja më e madhe e Shqipërisë është dakordësia e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE?
Fiks si në vitin 2009, kur u arrit marrëveshja e parë për kufirin detar dhe Greqia i tha po anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Këto nuk mund t’i dimë për sa kohë qeveria hesht.
Një heshtje totale, jo vetëm për mediat, por edhe për kanalin ekskluziv të informimit, ERTV.
Top Channel