Sulm kamikaz në Kabul, ISIS vret 11 kadetë në akademinë ushtarake

29/01/2018 10:06

Kabuli u trondit këtë të hënë nga një tjetër sulm. Incidenti më i fundit i 10 ditëve vdekjeprurëse në kryeqytetin afgan u regjistrua pranë një akademie ushtarake.

Militantët sulmuan bazën e ndodhur në afërsi të saj, duke vrarë të paktën 11 ushtarë e duke plagosur 16 të tjerë.

Agresorët, sipas raporteve në medien vendase, ishin 5. Katër prej tyre mbetën të vrarë gjatë shkëmbimzjarrit me forcat e sigurisë, ndërsa njëri ka përfunduar në pranga.

Sulmin, nga sa pohon agjencia e lajmeve “Amaq”, e mori përsipër Shteti Islamik. Ai vjen pak ditë nga goditja më e rëndë e muajve të fundit në Kabul, kur talebanët hodhën në erë një autoambulancë të mbushur me eksplozivë, duke vrarë të paktën 100 persona.

Si militantët që kërkojnë vendosjen e versionit të tyre të rreptë të Sheriatit në mbarë vendin, ashtu dhe luftëtarët e tkurrur në numër e fuqi të ISIS-it, i kanë përqëndruar energjitë e tyre te ndërmarrja e sulmeve në Kabul, si përgjigje ndaj avancimit të forcave të sigurisë në pjesë të tjera të vendit.

Top Channel