Presidenti i Polonisë rishikon ligjin për Holokaustin

29/01/2018 17:12

Presidenti polak, Andrzej Duda thotë se do të rishikojë planet për nxjerrjen jashtë ligji të çdo sugjerimi për bashkëpunim të Polonisë me nazistët.

Izraeli ka kundërshtuar ashpër projektligjin, që po ashtu e bën të paligjshme përshkrimin e kampeve naziste të vdekjes në Poloni si “polake”.

Kritikët thonë se projektligji synon të kufizojë diskutimet mbi përfshirjen e Polonisë. Kjo e fundit ka këmbëngulur për shumë kohë se nuk kishte faj, e se kampet e vdekjes menaxhoheshin tërësisht nga forcat pushtuese gjermane.

Vendi u sulmua dhe u poshtua nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Miliona qytetarë të tij u vranë, përfshirë edhe 3 milionë hebrenj polakë gjatë Holokaustit.

Shumë polakë janë nderuar nga Izraeli për shpëtimin e jetëve të hebrenjve gjatë luftës, madje më shumë se në çdo vend tjetër. Sidoqoftë, historianët thonë se disa të tjerë kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në masakrat e nazistëve, përfshirë ato në qytetin Jedëabne, ku qindra hebrenj u vranë nga fqinjët e tyre.

Projektligji polak, që është një amendament i ligjit ekzistues, do t’i bënte fraza të tilla si “kampet polake të vdekjes”, të dënueshme me deri në 3 vite burg. Ai duhet të miratohet në Senat dhe të nënshkruhet nga presidenti, përpara se të bëhet ligj.

Presidenti Duda premtoi një analizë të kujdesshme të legjislacionit, pas reagimit të ashpër të Izraelit, të dielën. Qeveria polake këmbëngul se legjislacioni synon të pengojë denigrimin ndërkombëtar të Polonisë dhe nuk ka si qëllim të pengojë debatin e pastër akademik.

Por, zyrtarët izraelitë e kanë dënuar atë. “E kundërshtoj ashpërsisht. Askush nuk mund të ndryshojë historinë dhe Holokausti nuk mund të mohohet”, tha në një deklaratë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Top Channel