Porti Durrës, gjatë janari u refuzohet dalja nga Shqipëria 318 personave

29/01/2018 13:16

Plot 318 persona nuk janë lejuar të dalin jashtë shtetit gjatë muajit janar, nga porti i Durrësit.

Policia e qarkut jep detajet e këtij muaji, ku thotë se këtyre personave u është refuzuar dalja, pasi nuk justifikonin qëllimin e udhëtimit, kishin mungesë mjetesh financiare, kishin konsumuar ditët e qëndrimit, ishin të kthyer deportiv, me refuzim hyrje, apo mungesë dokumentacioni.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara për strukturat e drejtorisë vendore për kufirin dhe migracionin në Durrës, janë evidentuar dhe dokumentuar 36 vepra të ndryshme penale, për të cilat janë proceduar 35 autorë.

Gjithashtu është hartuar një Plan–Operacioni i përbashkët me Tiranën, Fierin, Delta Forcë dhe Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier, “Mbi parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike përgjatë vijës bregdetare”.

Në operacion morën pjesë, strukturat e drejtorisë vendore të Kufirit të Durrësit me Sektorin e Hetimit, shërbimet e Stacioneve të Policisë Kufitare Spille, Divjakë, Golem, Fier dhe “Delta Forca” e Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier.

Gjatë operacionit u kontrolluan territore të Spillesë dhe Divjakës, stane, ndërtesa të braktisura, ish-depo ushtarake, gryka lumenjsh, zona të pyllëzuara si dhe gjithë vija bregdetare.

“Po në kuadër të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria e Kufirit Durrës ka bashkëpunim të ngushtë me homologët italianë, GdF dhe me DVP Durrës duke shkëmbyer informacion për persona që mund të ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”, bën të ditur policia e Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA