Zjarri në spitalin koreano-jugor, humbin jetën gati 40 persona

26/01/2018 10:19

Gati 40 persona gjetën vdekjen mes flakëve që përfshinë një spital në Korenë e Jugut, fatkeqësia më e madhe e këtij lloji që trondet vendin prej thuajse një dekade. Plot 70 persona të tjerë mbetën të lënduar.

Në momentin e rënies së zjarrit, në godinë ndodheshin rreth 200 pacientë. Bilanci i vdekjeve rrezikon të rëndohet edhe më shumë, sepse disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

Zjarrfikësit i thanë agjencisë së lajmeve “Yonhap” se, pjesa dërrmuese e viktimave duket të jetë asfiksuar nga tymi. Në mesin e tyre ka dhe pjesëtarë të stafit spitalor, përfshirë një mjek dhe një infermiere.

Autoritetet nisën menjëherë hetimet, por deri tani nuk kanë asnjë të dhënë mbi shkaqet e flakëve. Kompleksi, sipas medieve lokale, nuk kishte sistem kundër zjarrit, por ishte në procesin e instalimit të tij në pjesën e Infermierisë.

Ligji i ri pritet ta bëjë të detyrueshme vendosjen e një sistemi të tillë në spitalet private. Flakët nisën në 7:30 me orën lokale dhe u deshën rreth 3 orë që ato të viheshin nën kontroll.

Presidenti Moon Jae-in thirri menjëherë një mbledhje urgjente me pjesëtarë të ekzekutivit, por edhe përfaqësues të opozitës, për të diskutuar mënyrat e menaxhimit të situatave të tilla me zjarret.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel