Koreja e Veriut, thirrje për bashkimin e gadishullit

25/01/2018 15:24

Një delegacion me zyrtarë koreano-veriorë dhe lojtarë të “hockej”-it në akull kaluan kufirin më të përforcuar të botës dhe mbërritën në Korenë e Jugut për stërvitjen e përbashkët olimpike, ndërsa regjimi në Penian u bëri thirrje koreanëve që të kërkojnë bashkimin e dy kombeve.

Delegacioni sportiv përfshin edhe 12 femra nga Koreja e Veriut që do të formojnë një ekip të përbashkët me homologet e tyre nga Jugu për Lojërat Dimërore të shkurtit në resortin koreano-jugor, Pyeongchang.

Prania e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike dhe marshimi i të gjithë sportistëve koreanë nën një flamur u arrit pas bisedimeve mes palëve në fillim të vitit. Por, ndërsa mbërritja e sportistëve pritej, surpriza erdhi të enjten nga regjimi komunist në Penian, i cili përmes një komunikate të rrallë iu drejtua të gjithë koreanëve në vend dhe jashtë tij, duke u kërkuar atyre që të hedhin përpara hapa drejt bashkimit të vendit pa ndihmën e shteteve të tjera.

“Të gjithë koreanët duhet të promovojnë kontaktet, udhëtimin dhe bashkëpunimin mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, ndërsa Peniani do të kalojë çdo sfidë që qëndron kundër bashkimit të gadishullit Korean”, shkruhet në komunikatë.

Në të kërkohet edhe ulja e tensioneve ushtarake dhe krijimi i një klime paqësore në gadishullin Korean. Megjithëse Lojërat shihen si një mundësi e mirë për të afruar dy vendet, skeptikët, që nuk janë pak, thonë se Kim Jong-un po përdor evenimentin për qëllimet e tij propagandistike dhe asgjë nga ato që thotë nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Top Channel