Davos, Trump takohet me aleatët Netanyahu dhe May

25/01/2018 16:40

Dy takimet e para në kuadër të Samitit Ekonomik të Davosit në Zvicër, presidenti amerikan Donald Trump i rezervoi për aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, Izraelin dhe Britaninë e Madhe.

Në takimin me kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan shprehu qasjen e tij “të presim e të shohim” për bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa shprehu mbështetjen e plotë për Jeruzalemin për çështjen e Iranit.

Trump tha se njohja e Jeruzalemit si kryeqyet i Izraelit ka hapur rrugën për bisedimet, ndërsa fajësoi palestinezët që refuzojnë të ecin përpara. Ndërsa çështjen e Jeruzalemit e konsideroi të mbyllur, Trump kërcënoi palestinezët me milionat e ndihmës humanitare që SHBA u japin, nëse nuk kthehen në tryezën e bisedimeve.

Megjithatë, Trump tha se ka një propozim të shkëlqyer për palestinezët, por refuzoi të japë detaje, duke thënë disa herë se duhet pritur dhe parë se ç’do të ndodhë.

Në takimin tjetër, me Theresa Mayn, që vjen pas anulimit të vizitës së Trumpit në Londër, presidenti amerikan shprehu dashurinë e amerikanëve për Britaninë, ndërsa theksoi se dy vendet janë të lidhur ngushtë për çështjet ushtarake.

Kjo u konfirmua edhe nga May, e cila tha se, përsa u takon kërcënimeve të përbashkëta, Uashingtoni dhe Londra janë në të njëjtën linjë. Presidenti amerikan, ndërsa Britania shkëputet nga Europa dhe tregtia është çështja kyçe, parashikoi gjithashtu një rritje të jashtëzakonshme të tregtisë mes dy vendeve në vitet në vazhdim.

Top Channel