Dita e dytë e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit nisi me fjalimin e presidentit brazilian Michel Temer, i cili njoftoi se ekonomia më e madhe e Amerikës Latine ishte drejt rimëkëmbjes.

Duke iu përshtatur temës së këtij viti, për krijimin e një të ardhmeje të përbashkët në një botë gjithnjë e më të ndarë, Temer iu bashkua liderëve të tjerë në paralajmërimin kundër proteksionizmit. Komentet shihen si një mesazh i drejtpërdejtë kundër presidentit amerikan Donald Trump, i cili pritet të flasë në forum ditën e premte.

Në atë që u pa si një shenjë për sheshimin e problemeve në atdhe, pas krizës që pasoi zgjedhjet gjermane, kancelarja Angela Merkel u rikthye fuqishëm në skenën globale, me një fjalim që u fokusua tek rreziqet e proteksionizmit dhe populizmit helmues, siç e quajti.

“Ne besojmë se izolimi nuk do të na çojë askund. Besojmë se duhet të bashkëpunojmë dhe se proteksionizmi nuk është përgjigjia e duhur”, u shpreh Merkel.

Për presidentin francez Emanuel Macron, fjalimi në Davos ishte i pari që prej fitores në muajin maj. Ndërsa këmbënguli se ‘Franca është rikthyer në shina’, Macron paralajmëroi se globalizimi po përballej me një krizë të madhe dhe bëri thirrje për ndërmarrjen e reformave kyçe ekonomike e politike në nivel të Bashkimit Europian.

“Ne duhet të ndërtojmë politikat tona të përbashkëta në fusha të tilla si migracioni, dixhitalizimi, energjia, mbrojtja, financat e investimet”, tha Emanuel Macron.

Që prej vendimit të SHBA-ve për t’u shkëputur nga marrëveshja e Parisit, presidenti francez po përpiqet të pozicionohet si lider sa i përket luftës së ndryshimeve klimaterike.

Top Channel