Qeveria në Maqedoni ka shprehur keqardhje për vendimin e Presidentit Gjorgje Ivanov për të mos dekretuar ligjin e gjuhëve.

“Duam edhe një herë të theksojmë se të gjithë elementët e zgjidhjes ligjore përsa i takon përdorimit të gjuhëve janë në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës”, thuhet në deklaratën e saj.

“Me këtë ligj, ne avancuam përdorimin e gjuhëve të të gjitha bashkësive etnike në vend. Arsyeja e hartimit të këtij ligji është kujdesi për të gjithë qytetarët, me të cilët ndërtojmë shoqëri të barabartë për të gjithë”, vazhdon deklarata, ku theksohet gjithashtu se ekzekutivi i Zoran Zaevit mbetet i përkushtuar në politika që e ndërtojnë Maqedoninë si shtet të atyre që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, romë, boshnjakë, ndërsa politikat për përdorimin e gjuhëve do të pasqyrohen sipas nevojave të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike në vend.

Ivanov e bëri të ditur të mërkurën se nuk do ta nënshkruajë ligjin që përmbyll Marrëveshjen e Ohrit, me arsyetimin se ai u aprovua pa një debat publik, pa u konsultuar me ekspertët, pa një direktivë të Bashkimit Europian dhe pa opozitën në sallë. Miratimi i legjislacionit, sipas Presidentit të propozuar në këtë post e të mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, synon arritjen e pikëve politike nga parti të caktuara.

Qëndrimi i tij nuk ishte diçka e papritur, ndaj kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi pati sqaruar më herët se mosdekretimi nga ana e tij nuk përbën ndonjë problem madhor, përderisa ekziston vullneti i partive parlamentare të cilat pritet ta votojnë përsëri e këtë herë, Ivanovi do të jetë i detyruar të vërë firmën.

Pa praninë e opozitës, por me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, ligji për përdorimin e gjuhëve mori dritën jeshile në Kuvend më 11 janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA