Denoncimi i “Fiks Fare”: Të “burgosur” në pronat e tyre me hipotekë

12/01/2018 21:45

“Fiks Fare” denoncoi falsifikimin e një vendimi gjyqësor të vitit 2000 nga Gjykata e Bulqizës. Eksperti Baftjar Bici, i cili figuron se ka bërë një akt ekspertimi për një çështje gjyqësore, për një pronë në Shupenzë të Bulqizës, thotë se nuk ka firmosur asnjë akt të tillë. Ndërkohë, gjyqtari Arjan Qafa pranoi këtë akt ekspertimi.

Dy banorë të fshatit Shupenzë në Bulqizë janë “burgosur” në pronat e tyre. Avni Murra dhe Shyqyri Balla kanë privatizuar disa godina shtetërore. Ata kanë marrë dhe vërtetimet e pronësisë. Ndërkohë, me vendime gjykatash, trualli i është dhënë shtetasit Petrit Kurti, po nga fshati Shupenzë.

Ndërkohë, Bashkia e Bulqizës i ka dhënë leje Kurtit që të rrethojë pronën dhe njëkohësisht edhe pronat e Murrës dhe Ballës. Për rrjedhojë, ata nuk mund të shkojnë te pronat e tyre, pasi nuk kanë leje. Pra, edhe Kurti, sipas dokumenteve, ka në pronësi truallin, të cilën e disponon me hipotekë. Një person ka truallin me hipotekë, ndërkohë dy të tjerë kanë objektet po me hipotekë.

Në “Fiks Fare” u ankuan Avni Murra dhe Shyqyri Balla. Murra thotë se dyqanin e privatizoi në vitin 1997.

“Kam marrë certifikatën e pronësisë. Por kryetari i Bashkisë së Bulqizës më thotë se nuk i intereson vendimi i gjykatës. Unë që më 12 tetor 2017 nuk hyj dot në pronën time, pasi është ndërtuar muri. Erdhi INUK-u dhe i ndërpreu punimet. Bashkia e Bulqizës e ka mbështetur këtë ndërtim. Unë e përdorja këtë godinë për një servis dhe një farmaci të vogël, dhe në njërën anë ka qenë bashkëshortja për floktore. Më ka shkaktuar dëm psikologjik, bashkëshorten e kam dërguar jashtë shtetit, e kanë shoqëruar në komisariat. Leja e bashkisë është për një strukturë që hiqet, jo për beton e tela”, thotë Murra.

Më tej, ai thotë se kryetari i Bashkisë së Bulqizës nuk e pret në zyrë.

“Kërkoj vetëm të më hapet rruga të shkoj në dyqan. Kjo është pronë publike, e di i gjithë qyteti. Kjo s’është as pronë e gjyshit, as me 7.501, as me komisionin e tokës, as ia ka blerë kujt. Është në mes të Shupenzës”, thotë ai.

Ndërkohë, Shyqyri Balla thotë se i është drejtuar “Fiks Fare” se një bashkëfshatar po tenton që t’i rrethojë pronën.

“Ajo është tokë vakëf. Ka qenë pyll. Gardhi është ndërtuar më 12 tetor 2017. Petrit Kurtit i është dhënë një vendim i Komisionit të Pronave. Ai vendim nuk e di nga e ka origjinën. Në vitin 2000 u mor vendim nga gjykata, që Petrit Kurti u bë trashëgimtar i këtij trualli. Pra, i njëjti gjyqtar mori vendim për trashëgiminë dhe i njëjti për pronësinë. Disa muaj pas vendimit, gjyqtari Arjan Qafa vendosi të pranojë një akt ekspertimi nga eksperti Arjan Qafa”.

Gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan edhe me “pronarin” e truallit, Petrit Kurti. Ai thotë se prona është e tij dhe nuk ka vakëf.

“E kam fituar me gjyq nga Këshilli i Komunës, nga Agjencia e Pronave. Çështja shkoi në gjykatë. Pas kësaj është Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. E kam pasur me dokumente para vitit 1990. Ma trashëgoi babai im”, thotë ai.

Më tej, ai tregon një hartë, por pa specifikuar se çfarë është. Ndërkohë, pasi gazetarët i treguan Kurtit se edhe Avni Murra ka dokument pronësie dhe nuk mund të futet dot në pronë, ai thotë se “ai s’ka tokë. Ai s’ka për të pasur. S’do e lë të futet në godinë. Ai është jashtë truallit tim. Bie në Klos”.

“Fiks Fare” u interesua edhe në Bashkinë e Bulqizës. Eksperti Dritan Nesimi thotë se bashkia ka dhënë një leje me afat kohor 150 ditë, në muajin prill të vitit 2017. Pyetjes se, a i ka verifikuar bashkia dokumentet e pronësisë, ai i përgjigjet se, “duke u bazuar te dokumentet e Petrit Kurtit, rezulton se ai ka një dokument pronësie dhe nuk mund t’a ndalojnë për t’a rrethuar”.

Fiksi pyeti edhe disa banorë në Shupenzë, të cilët thanë se në truallin në fjalë kanë qenë varreza.

“Kam 7 varre të miat që janë atje. Kam 3 motra, një vëlla, nëna, gjyshja, një djalë i imi. Jemi mbledhur për atë punë, që ajo ka qenë vakëf”, thotë një 86-vjeçar.

Dy të tjerë shtojnë se prona është e të gjithë banorëve dhe jo e një individi.

“Fiks Fare” kontaktoi edhe me ekspertin Baftjar Bici. Eksperti tha se nuk ka firmosur asnjë akt ekspertimi për pronën në Shupenzë. Nuk ka shkuar në gjykatë, nuk është paguar. Ai ka lëshuar një akt noterial, ku thotë se nuk ka marrë pjesë si ekspert në këtë gjykatë. Në një bisedë telefonike, ai pranoi se dosja është montuar në Gjykatën e Bulqizës në vitin 2000.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA