Mogherini dhe diplomatët: SHBA të mos braktisin paktin me Iranin

11/01/2018 20:15

Udhëheqësit europianë u bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mos e braktisin marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 me Iranin, që kufizon programin e tij bërthamor, duke theksuar se ajo po e bën botën më të sigurtë.

Pas një takimi me ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Iranit, shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini pohoi se marrëveshja botërore po funksionon e se shqetësimet lidhur me ndërtimin e raketave balistike nga Irani, si dhe aktiviteteve të tjera në Lindjen e Mesme, duhen trajtuar si çështje më vete.

“Marrëveshja po funskionon, gjë që nënkupton se programi bërthamor i Iranit është nën mbikëqyrje. Uniteti i komunitetit ndërkombëtar është thelbësor për të ruajtur një ujdi që po jep rezultate, e që po e bën botën më të sigurtë. Ne presim që të gjitha palët ta implementojnë plotësisht atë”, tha Mogherini.

Komente të ngjashme bënë edhe ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë, duke e vlerësuar marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Marrëveshja e vitit 2015 hyri në fuqi përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e parashikon kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve financiare ndaj shtetit me shumicë myslimane.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur ujdinë si më të keqen të nënshkruar ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe kërcënon se do të tërhiqet prej saj.

Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se, nëse Trump do ta bëjë këtë, kundërpërgjigjja e Teheranit do të jetë e ashpër. Presidenti Donald Trump pritet të vendosë të premten, nëse do të vazhdohet me lehtësimin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

Top Channel