Protesta e opozitës, Basha bën thirrje për pjesëmarrje nga Durrësi

10/01/2018 18:42

Lulzim Basha deklaroi nga Durrësi se protesta e 27 janarit është vetëm nisja e një aksioni të madh opozitar. Në pamjet që shpërndau Partia Demokratike për median, Basha akuzoi Ramën se duke bashkëpunuar me krimin ka asgjësuar lirinë e zgjedhjes dhe se vota e blerë ndikon tek çdo familje.

“Nëse votën e merr me kriminelët, nuk ndjen detyrim me njerëzit e thjeshtë, kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja përse 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritës dhe të ujit. Kjo është arsyeja përse 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot nevojat minimale ushqimore. 39% nuk ngrohin dot shtëpitë. 70% e atyre që ikin janë nga mosha 19 deri 34 vjeç. Nuk e ka fare shqetësim. Shqetësim e ka, si t’i mbrojë kriminelët e vetë”, tha Basha.

Krahas Kryeministrit, Basha sulmoi edhe kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, administratorin e OSHEE, Ardian Çela dhe ish-ministri e Brendshëm Tahiri. Kreu demokrat tha se kërkojnë një drejtësi të pavarur dhe të pakapur politikisht.

“Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi sepse duam zgjedhje me drejtësi, jo blerje të pushtetit. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Sajmir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit”, vijoi ai.

Basha deklaroi se pjesëmarrja masive në protestë është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA