Arrestimi i mësueses Deyshia Hargrave në Louisiana ka bërë xhiron e botës në internet e media, e arsyeja ka tronditur jo pak.
Gjatë një takimi të bordit të shkollave në zonën Vermilion Parish, mësuesja e re kërkoi shpjegime pse anëtarët e bordit vendosën të rrisin pagën e superintendentit të shkollave, ndërsa mësuesit dhe nëpunësit e tjerë nuk kanë rritje page prej vitesh.
Hargrave tha se numri i nxënësve në klasa është shtuar ndjeshëm dhe mësuesit ofrojnë po të njëjtën cilësi arsimimi, duke punuar dy herë më shumë. Prandaj, sipas saj nuk ka asnjë justifikim rritja e pagës së superintendentit dhe jo e arsimtarëve.
Duket se bordi drejtues nuk e priti fare mirë komentin e saj dhe e urdhëroi të dilte nga salla, duke i kërkuar një oficeri sigurie që ta shoqëronte. Menjëherë pasoi arrestimi i pashpjegueshëm, pasi nuk dihet pse oficeri e prangosi mësuesen që reagon shumë e tronditur nga ngjarja.
Policia lokale e Vermilion Parish, ku ndodhi ngjarja, tha se mësueja u dërgua në rajon, por u lirua shumë shpejt, pasi s’mund të ndalohet dikush për të cilin s’ka asnjë akuzë. Megjithatë, hetimet kanë nisur për të zbardhur ngjarjen, që të paktën nga pamjet duket mjaft e qartë.
Top Channel