Në kohën kur i ftohti nga Spanja dërgon borë në kodrinat e Saharasë, mes Marokut dhe Algjerisë, fillimjava sjell në kontinentin e vjetër shirokun e madh saharian, i cili do të shtyjë pluhur e rërë nga shkretëtira e veriut të Afrikës drejt rrethit polar arktik.
I ngrohti i këtyre ditëve, me sa duket i detyrohet pikërisht një fenomeni të tillë. Falë tij, rëra e Saharasë pritet të prekë Mesdheun me sasinë më të madhe të pluhurit të parashikuar në Itali, Francë, Spanjë, Zvicër e Britani.
Në fqinjin tonë të përtej Adriatikut, meteorologët paralajmërojnë për dy ditë me një qiell të veshur në lloj ngjyre të verdhë e të errësuar nga grimcat e pluhurit saharian.
Në rrugën e këtij të fundit duket se do të jenë edhe vendet e Ballkanit, sidomos Kroacia e Bosnja. Megjithatë, pluhuri i kuq i shkretërirave afrikane nuk pritet të përbëjë ndonjë problem për fluturimin e avionëve apo shëndetin e qytetarëve.
Mbërritja e tij dhe grimcave të vogla të rërës nga Saharaja është një fenomen që përfshin shpesh Europën, duke ndikuar te ngjyra e kuqërremtë që mund të marrë në raste të tilla shiu apo bora.
Top Channel