Paralajmërimi për Gjykatën Speciale, SHBA i kujton Kosovës pasojat

05/01/2018 09:18

Presioni mbi qeveritarët kosovarë për të mos shfuqizuar Gjykatën Speciale sa vjen e shtohet.

Përmes një deklarate publike, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Kosovë shprehën shqetësimin e thellë për përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara të kësaj gjykate si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Në deklaratën e tyre, vendet e Kuintit kujtonin se kanë qenë miq të vërtetë të Kosovës edhe në kohë të vështira, që nga ndërhyrja e NATO-s e deri tek njohja e pavarësisë. Por, shtojnë se do të këmbëngulin që Kosova të mbështesë drejtësinë.

Si të mos mjaftonte paralajmërimi i tyre publik, zyrtari i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Stephen Banks u takua personalisht me kryeministrin Ramush Haradinaj për t’i kujtuar pasojat që do të vuante vendi nga shfuqizimi i ligjit për Specialen. Banks ka qenë mjaft aktiv gjatë javës dhe ka kryer një sërë takimesh me krerë institucionalë kosovarë lidhur me këtë çështje. Shtypi në Kosovë thotë se ia ka bërë të qartë Haradinajt se Shtetet e Bashkuara nuk do të bllokojnë asnjë iniciativë të Rusisë që lidhet me krijimin e një gjykate të ngjashme.

Por, mbrëmjen e një dite më parë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili mban edhe postin e ministrit të Infrastrukturës në qeverinë Haradinaj, deklaroi sërish se ligji për Gjykatën Speciale duhet të shfuqizohet dhe pas këtij hapi, Kosova duhet të formojë një gjykatë që të merret me rastet e supozuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA