Puidgemont: Rajoy të njohë zgjedhjet

31/12/2017 12:51

Ish-lideri katalan Carlos Puigdemont, të shtunën i kërkoi kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy që të pranojë rezultatet e zgjedhjeve lokale të 21 dhjetorit, që i dhanë një shumicë të ngushtë partive që mbështesin ndarjen e rajonit verilindor nga Spanja.

Zgjedhjet nuk mundën të zgjidhnin krizën më të rëndë politike të Spanjës në dekada të tëra, me partitë pro pavarësisë që morën 70 nga 135 vendet në Parlamentin katalan, por nuk ia dolën të merrnin shumicën në votën popullore.

“Kutitë e votimit kanë folur, demokracia ka folur, të gjithë kanë qenë në gjendje të shprehen. Nuk e kuptoj se çfarë po pret Rajoy që të njohë rezultatet”, tha Puidgemont.

Katalonja ka dëshmuar se është dëmokratike dhe ka fituar të drejtën të bëhet një republikë, tha ai në një fjalim televiziv nga Brukseli. Ai i ka kërkuar po ashtu Rajoy-t që të nisë negociatat me liderët pavarësisë.

Top Channel