Viti 2017 nisi me afate të përcaktuara për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit nga njerezit e drejtesise, prokurorë dhe gjyqtarë, që do t’i nënshtroheshin procesit të vettingut. Nga i gjithë sistemi katër gjyqtarë dhe prokurorë nuk i plotësuan formularët, duke dhënë dorëheqjen, çka solli edhe daljen e tyre nga sistemi.

Por në lidhje me gjyqësorin, ngjarja më e bujshme ishte dënimi i Majlinda Andreas, e cila pas 24 vjetësh në radhët e drejtësisë është e para gjyqtare e Gjykatës së Lartë që shpallet fajtore për afera korrptive.

Pas kërkesës së Prokurorisë për ta dënuar me katër vjet burgim, ish-kolegët e saj e pezulluan dënimin, duke e konvertuar në tre vjet shërbim prove dhe mohim të së drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet. Së bashku me gjyqtaren u dënua edhe bashkëshorti i saj.

Në hetim për korrupsion është edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, por Prokuroria e Krimeve të Rënda e humbi betejën e saj ndaj gjyqtarëve Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno të Apelit Durrës, për të cilët kërkoi pezullimin nga detyra, kërkesë që u rrezua nga të dyja shkallët e gjykatës. Tani kërkesa është në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Të tre gjyqtarët rezultojnë të kenë udhëtuar dhe parë ndeshjen e futbollit Real-Barcelona me një biznesmen, për të cilin më pas kanë dhënë edhe një vendim në favor të tij.

2017 ishte vit i pafat për Fildez Hafizin, gjyqtare në Shkodër, që u vra nga bashkëshorti Fadil Kasemi. Ky ishte akti final i një dhune sistematike në familje, që statistikisht mbetet një nga veprat më shqetësuese për kriminalitetin në vend.

Saimir Tahiri është personi më i famshëm që u mor nën hetim gjatë vitit që lamë pas. Emri i ish-ministrit të Brendshëm doli pas zblumit të dosjes Halibaj nga autoritetet italiane të Katanias. Por më shumë se kaq, hetimet hodhën dyshime për implikim të autoriteteve më të larta policore në kultivimin masiv të kanabisit.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shefi Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefi i Kufirit Dhërmi, Sokol Bode vijojnë të jenë në arrati, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Habilajve.

Artan Cuku, ish-zyrtar i lartë në Policinë e Vlorës u vra me armë zjarri mbrëmjen e 8 prillit. Mikel Shallari u zbulua pas disa javësh si personi që shkrepi pistoletën, por porositësi i vërtetë i vrasjes i identifikuar, dyshohet se fshihet jashtë vendit. Grupi hetimor ka dyshime se Artan Cuku u ekzekutua për shkak të detyrës që ka mbajtur si drejtor i Policisë në Vlorë.

Ervin Dalipaj duhet të ishte në gjyqin penal kundër tij më 25 prill, por ai dhe Juxhin Dauti u ekzukutuan në një atentat në autostradën Tiranë-Durrës. Ish-shefi i Seksionit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ishte një person i shpallur në kërkim si i përfshirë në vrasjen e Gazmend Çollakut, por ai lëvizte i lirë dhe para se ta gjente drejtësia e gjetën ata që ishin të interesuar për ta vrarë.

Më 9 dhjetor Lezha u trondit nga një vrasje mafioze. Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka u ekzekutua nga vrasës me pagesë sapo kishte parkuar makinën e tij në prag të shtëpisë. Hetimet për ktë vrasje janë në pikën zero, pasi policia nuk ka asnjë pistë konkrete, ndërkohë që po heton konfliktet e familjes Ndoka në vite, të cilët njihen për reputacionin e tyre në zonën e Lezhës.

Ish-deputeti Mark Frroku u dënua me 7 vjet e 6 muaj burgim. Gjykata e Tiranës e gjeti fajtor Frrokun për tre akuza, por jo për atë të vrasjes që ishte edhe akuza më e rëndë.

Ish-administratori i DIA-s Kastriot Ismailaj u dënua nga Gjykata e Tiranës me 11 vite burgim për akuzat e mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ai u shpall fajtor për një nga aferat më të rënda, atë të përfitimit në mënyrë të paligjshme të rreth 5 milionë eurove nga CEZ Shpërndarje. Përveç dënimit me burgim, u vendos konfiskimi në favor të shtetit të rreth 4.5 milionë euro pasuri të Ismailajt.

Top Channel