Zjarri në New York, hetuesit: U shkaktua nga një fëmijë

29/12/2017 22:29

Hetuesit e qytetit të Nju Jorkut besojnë se një zjarr në Bronx, që i mori jetën 12 personave, mes të cilëve 4 fëmijë, është shkaktuar nga një fëmijë që luante me sobën.

Një fëmijë 3-vjeçar, që nuk ishte në vëmendjen e të rriturve, duket se ka shkaktuar zjarrin, thanë zjarrfikësit. Ndërsa nëna e tij ishte larguar bashkë me dy fëmijët, kishte lënë derën hapur, duke bërë që zjarri të përhapej në holl.

Shkallët më pas kishin funksionuar si një oxhak duke e shpërndarë zjarrin shpejt në katin më të lartë. Zjarri ishte më vdekjeprurësi në qytet për të paktën 25 vitet e fundit, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Policia tha se mes viktimave kishte 3 vajza të moshës një, dy dhe shtatë vjeçe dhe një djalë që nuk është identifikuar ende. Të paktën 20 vetë janë shpëtuar nga zjarri. Zyrtarët nuk kanë publikuar ende emrat e viktimave që u shpallën të vdekur në vendngjarje.

Më shumë se 170 zjarrfikës ndihmuan në shuarjen e flakëve, ndërsa temperaturat në qytet ishin shumë nën zero. Mediet lokale raportuan se dy fëmijë u gjetën të vdekur në krahët e një gruaje që kishte tentuar të gjente shpëtim në një vaskë.

Po ashtu, një ushtar, që ishte në shtëpi për festa, raportohet i humbur nga familja. Banorët që mundën të shpëtonin, dolën nga godina në të ftohtin e acartë e disa prej tyre ishin pa këpucë apo pallto dhe kryqi i kuq u angazhua në ndihmë.

Temperatura gjatë natës në Nju Jork ra në rreth -10 gradë celcius dhe uji nga mjetet zjarrfikëse shihej të shndërrohej në akull sapo binte në tokë.

Top Channel