Moti i acartë që ka përfshirë pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka sjellë reshje rekord bore dhe ka ngrirë pjesë të liqenit Erie në Nju Jork.

Por, presidenti Donald Trump, në një mesazh në Twitter thotë se kjo është prova që vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën, ishte i drejtë.

“Në lindje, ku mund të jetë fundviti më i ftohtë i regjistruar ndonjëherë. Ndoshta ne mund të përdorim pak nga ato triliona dollarë që vendi ynë, por jo të tjerë, do të paguanin për ngrohjen e vjetër globale, për t’u mbrojtur nga ky i ftohtë. Mbahuni fort”, shkruante Trump në Twitter.

Postimi u prit me një stuhi reagimesh me njerëz që përpiqeshin t’i shpjegonin se çfarë janë ndryshimet klimaterike, presidentit amerikan, që dikur e kishte quajtur fenomenin një kurth kinez, që kishte si qëllim të dëmtonte ekonominë amerikane.

“Besojeni apo jo, ndryshimet klimaterike janë shumë reale, edhe pse bën ftohtë jashtë kullës Trump tani”, shkruante Jon Foley, drejtor ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Kalifornisë. “Ashtu sikurse ka ende uri në botë, edhe nëse ju sapo keni ngrënë një hamburger të madh”.

Pjesa perëndimore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur muajt e fundit nga zjarre të egra dhe guvernatori i Kalifornisë, Jerry Braun ka fajësuar ndryshimet klimaterike për këtë dhe refuzimin e presidentit Trump për t’i marrë seriozisht ato. E ndërsa kanë mbetur tashmë vetëm pak ditë, Organizata Botërore Meteorologjike thotë se 2017 ka qenë një nga vitet më të nxehta të regjistruar ndonjëherë.

Top Channel