Putin: Shpërthimi, akt terrorist. Kriminelët do të vriten pa paralajmërim

28/12/2017 22:39

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten, që kriminelët e armatosur mund të vriten pa paralajmërim, pasi e cilësoi shpërthimin e regjistruar në një supermarket në Shën Peterburg, që plagosi 14 persona, një akt terrori.

Të mërkurën në mbrëmje një bombë artizanale u vendos në një supermarket në Shën Peterburgun veri-perëndimor, qytetin e dytë më të madh në Rusi dhe vendlindjen e Putinit dhe shpërthimi i saj shkaktoi panik mes klientëve dhe plagosi 14 prej tyre, përfshirë një grua shtatzënë.

“Siç e dini një akt terrori është shënuar në Shën Peterburg”, tha Putin duke folur në një ceremoni para oficerëve që morën pjesë në fushatën ruse në Siri. Ai tha se kishte urdhëruar shërbimet kombëtare të sigurisë që të vepronin me vendosmëri dhe të likuidonin banditët në vendngjarje nëse militantët e armatosur bëjnë rezistencë.

Zëdhënësi i tij Dimitri Peskov i tha më vonë reporterëve se lideri rus po i referohej të gjithë atyre që hartojnë plane për të kryer akte terrorizmi në vend.

Shpërthimi në Shën Peterburg vjen pasi FSB tha më herët këtë muaj se kishte parandaluar një sulm terrorist në një katedrale kryesore ortodokse në këtë qytet me ndihmën e CIA-s amerikane, çka bëri që vetë presidenti rus Vladimir Putin të falënderonte homologun amerikan Donald Trump.

Top Channel