Christian Panuci ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e së enjtes, për të qenë i pranishëm për ceremonitë e fundvitit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në një përmbledhje të shkurtër, trajneri i përfaqësueses kuqezi tregon bilancin e kësaj eksperience të re për të.

“Mund të them që një nga pengjet e vitit që sapo u mbyll është një pikë që duhet të merrnim me Italinë dhe të them të vërtetën na mungon ajo në llogaritë përfundimtare. Për pjesën tjetër, dua të vazhdoj të theksoj që kemi bërë gjithmonë ndeshje shumë të mira, më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë, por nuk na mbetet gjë tjetër tani, duhet të shohim përpara në të ardhmen. Viti i ri që po vjen do të fillojë menjëherë me përgatitjet për skuadrën. Nga muaji janar do t’i rikthehem udhëtimeve për të gjetur futbollistë të rinj që t’i kthehemi punës seriozisht”, tha Panucci.

Nga viti i ardhshëm, Panuccin e presin sfidat më të vështira, riformatimi i pjesshëm i skuadrës, ku ka premtuar se do të ketë të paktën 3-4 lojtarë të tjerë të rinj, për të synuar kualifikimin për në Europian.

“Në këto 6 muaj që punoj me Shqipërinë kam arritur të ambientohem shumë mirë. Jam i bindur që do të kemi mundësi të bëjmë një skuadër shumë të mirë dhe në këtë mënyrë do të provojmë të shkojmë në finalet e Europianit e ardhshëm. Këto janë 6 muajt e parë që unë kam qenë këtu dhe mund të them që janë shumë të kënaqshëm sepse ndihem shumë mirë në detyrën e re në krye të kombëtares shqiptare. Dua të mbyll këtë vit me një urim për të gjithë tifozët shqiptarë. Gëzuar festat e fundvitit dhe i premtoj që do të punoj akoma më shumë në vitin e ardhshëm 2018, që të kemi mundësinë t’i dhurojmë emocione të mira me rezultatet tona”, theksoi Panucci.

Një vlerësim shumë të mirë për punën e deritanishme, Panucci e ka marrë edhe nga paraardhësi i tij, Gianni de Biasi: “Mendoj që Panucci i ka mundësitë dhe eksperiencën për të bërë gjëra të mira me këtë kombëtare. I kam parë të gjitha ndeshjet e kombëtares dhe më kanë pëlqyer shumë, sidomos ndeshja me Turqinë. Mund të them se disa lojtarë kanë patur rritje të dukshme dhe ajo që ka rëndësi është vazhdimësia. Për pjesën tjetër unë nuk futem asnjëherë në punët e të tjerëve, nëse do të duhet ndonjë ndihmë jam gati ta jap”.

Ndërkohë që për De Biasin, 2017 ka qenë gjithashtu një vit me dy fytyra: “Ky ka qenë një vit me dy fytyra. Në mesin e tij vendosa të ndërpres marrëdhënien me kombëtaren shqiptare dhe më pas kisha një dëshirë të madhe të kthehesha në kampionatin spanjoll. Nuk m’u dha koha që të punoja ashtu si unë di të punoj dhe pas dy muajsh gjithçka përfundoi, por më mirë kështu. Në jetë ndodh edhe kështu, e mora shkarkimin me shumë qetësi dhe jam në pritje të bëj dicka më të rëndësishme”.

Sa i përket të ardhmes së tij…

“Sa i përket të ardhmes, shpresoj të drejtoj Realin e Madridit”, thotë duke qeshur De Biasi.

Top Channel