NBA, humbasin Boston e San Antonio. Cleveland ndal Chicagon

22/12/2017 15:33

Cleveland ndal serinë e 7 fitoreve radhazi të Chicago Bulls, në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohio arriti të fitojë këtë sfidë me rezultatin 115-112, falë rezultateve të periodës së parë dhe të katërt, të vetmet që nuk u mbyllën në barazim.

Për Cleveland shkëlqeu i zakonshmi LeBron James me 34 pikë, 9 asiste dhe 6 topa në tabelë, ndërkohë që po kaq mirë u paraqit edhe Kevin Love, me 27 pikë. Për Chicagon, 25 pikët e Markkanen nuk mjaftuan që të evitojnë këtë disfatë.

Boston gjunjëzohet në “Madison Square Garden” ndaj New York Knicks. 102-93 ishte rezultati i kësaj ndeshjeje të fituar nga njujorkezët, të cilët iu falën Beasley, që regjistroi një bilanc me 32 pikë, 12 topa në tabelë, ndërkohë që dha një kontribut në këtë fitore edhe Kanter, me 14 pikë e 10 topa në tabelë.

Për Celtics, Irving shënoi 32 pikë dhe Tatum e mbylli me 17, por këto shifra shërbyen vetëm për të pasuruar statistikat personale të këtyre basketbollistëve.

Utah Jazz befason San Antonion në “Vivint Smart Home Arena” të Salt Lake City, teksa e mposht me rezultatin 100-89. Hood ishte ai që mori përsipër të drejtojë Jazz drejt kësaj fitoreje, me 29 pikë, ndërkohë që në ditë të mirë ishin edhe Favors me 14 pikë e 9 topa në tabelë e Ricky Rubio me 11 pikë e 11 topa në tabelë.

Utah ishte gjithnjë në udhëheqje të rezultatit në këtë ndeshje dhe e meritoi fitoren, edhe pse San Antonio në periodën e tretë i rihapi llogaritë e sfidës. Për skuadrën teksane, kjo disfatë ndërpreu serinë e 3 fitoreve radhazi në kampionat.

Top Channel