Katalonja, kryeministri Rajoy refuzon bisedimet me Puigdemont

22/12/2017 19:06

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy refuzoi thirrjet nga udhëheqësi i shkarkuar i Katalonjës, Carles Puigdemont, për bisedime të reja jashtë vendit.

Rajoy tha se është i gatshëm të negociojë me këdo që do të bëhet kreu i ri i qeverisë katalanase, por vetëm pasi të ketë marrë postin në Katalonjë.

Më herët, Puigdemont bëri thirrje për bisedime me qeverinë spanjolle në Bruksel, ku ai jeton në ekzil.

Partitë separatiste fituan shumicën në zgjedhjet e parakohshme të së enjtes, duke e hapur sërish temën e pavarësisë, që Madridi shpresonte se do ta mbyllte me zgjedhjet.

Rajoy nuk e përmendi me emër Puigdemontin gjatë konferencës për shtyp, por tha se ishte i përgatitur që të bisedonte zyrtarisht, në mënyrë të sinqertë dhe brenda ligjit, me këdo që do të merrte kontrollin e qeverisë rajonale.

“Ia ofroj këtë Katalonjës, sepse unë shqetësohem për njerëzit”, deklaroi Rajoy.

Megjithëse zgjedhjet në Katalonjë u fituan nga Partia e Qytetarëve (Ciudadanos) që duan qëndrimin brenda Spanjës, partitë separatiste kanë shumicën dhe numrat për formimin e qeverisë, një problem i madh ky për qeverinë qendrore.

Separatistët thonë se vota popullore tregoi se katalanasit duan pavarësinë dhe se. qartësisht plani i kryeministrit Rajoy nuk po funksionon, prandaj duhet gjetur një mënyrë e re për t’u përballur me krizën.

Top Channel