Drejtësi nga amerikanët?! Angazhimi i ambasadorit Lu në krah të Prokurorisë

21/12/2017 20:06

Deklaratat publike të ambasadorit amerikan në Tiranë kanë pasur një emërues të përbashkët, drejtësinë. Ambasadori Lu, ndryshe nga parardhësit, nuk ka dhënë asnjë intervistë, por kjo nuk e ka penguar ta përcjellë mesazhin, kryesisht në shqip. Mesazhet kanë qenë të drejtpërdrejta, si përshembull ai i datës 13 janar, kur sapo preku tokën shqiptare.

“Forcimi i institucioneve demokratike do të thotë vazhdimi i bashkëpunimit tonë të rëndësishëm në fushën e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Donald Lu më 13 Janar 2015.

Ambasadori u mor fillimisht me dekriminalizimin, duke bërë thirrje për ndalimin e kandidimit në zgjedhjet vendore të 2015-ës të kandidatëve me precedentë kriminalë, mision që nuk u arrit plotësisht në ato zgjedhje.

“Udhëheqësit e partive duhet të bëjnë gjithashtu më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale nga radhët e tyre dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit”, u shpreh ai më 26 janar 2016.

Por kali i tij i betejës ishte reforma në drejtësi, ku deklaratat kundër gjyqësorit të korruptuar kanë qenë vërtet të forta.

“Shumë gjyqtarë kanë orë më të shtrenjta se automjeti i tij.

“Nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës e mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar”, tha ambasadori i SHBA më 4 dhjetor 2015.

Më pas, në kuadër të Reformës në Drejtësi, kur u njoftua projekti për Byronë Kombëtare të Hetimit sipas modelit amerikan të FBI-së, ambasadori këshilloi historinë e Al Capones, për të kuptuar misionin e kësaj strukture të re.

“Al Capone drejtoi në Çikago grupin e organizuar kriminal me të cilin kontrollonte persona strategjikë në polici, në sistemin e drejtësisë dhe në qeverisjen e qytetit. Një shembull i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar Emiljano Shullazi që për shumë vite u akuzua për vrasje, trafik, gjobëvënie, por vetëm së fundmi u arrestua”, shprehej më 23 mars 2016, Donald Lu.

Më 14 dhjetor 2016, Lu shprehet “Si mundet Shqipëria të jetë e besueshme kur nuk arrin të arrestojë Klemend Balilin”.

Në kuadër të këtyre denoncimeve, ambasadori lëshoi deklaratën bombë për klanet kriminale në Shqipëri

“Kater klane kryesore drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare qe dominojnë aktivitetet kriminale. Emiljano Shullazi është një nga këta grupe kriminale. Lulzim Berisha, i cili u lirua gabimisht. Klement Balili i shpëtoi drejtësisë për 18 muaj. Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balili në Shqipëri”, tha ai më 2 tetor 2017.

Vetëm pas kësaj deklarate, një muaj më vonë, Policia e Shtetit njoftoi fillimin e operacionit Forca e Ligjit. Periudha përkon me publikimin e çështjes Tahiri dhe shprehja kyç e diplomatëve dhe politikanëve ishte ajo e kapjes së peshqve të mëdhenj.

“Në Gjuhën Shqipe ju thoni: Peshku i madh e ha të voglin, për njëherë të vetme në Shqipëri të hamë peshkun e madh”, tha Donald Lu.

Me Adritik Llallën ambasadori vitin e fundit pati një betejë të hapur, duke e akuzuar drejtpërdrejtë se kishte penguar Reformën në drejtësi.

“Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi”, u shpreh më 2 shkurt 2017, Donald Lu.

Vetë Adriatik Llalla e akuzoi për influencim të hetimeve për Bankers, por ambasadori nuk foli kurrë për këtë episod. Kur kryeprokurorit Llalla i përfundoi mandati, ambasada reagoi prerazi dhe shpejt, duke ndërhyrë në një farë mënyre në procesin e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

“Të dyja palët t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”, u shpreh më 12 dhjetor 2017 ambasadori Lu.

Shpesh qëndrimet e ambasadorit kanë hasur kundërshtime nga palët në Shqipëri. Si për shembull në këtë rast, kur kryeministri tha se nuk pranonte argumentin se ka të inkriminuar nga të dyja palët. Apo kur ish-kryeministri Berisha i kujtoi akuzat e Adriatik Llallës për influencim të hetimeve. Apo deklaratat e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha më 12 dhjetor të këtij viti, që thoshte fill pasi kishte folur ambasadori, se që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, duhet që vetë Kryeprokurori t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon Kushtetuta.

Në media gjen shpesh kritika nga analistë pranë opozitës për mungesën e denoncimit të kanabizimit të vendit, apo për qëndrime të rrepta ndaj opozitës. Mirëpo nëse i analizon të gjitha këto sot, nën dritën edhe të porosive që i dha kryeprokurores së re, duke i vizatuar asaj hartën e rrugës ku duhet të ecë, kupton se ambasadori Lu ka lënë mënjanë ose nuk i ka kushtuar rëndësinë të shtuar asgjëje që mund të shfokusonte vëmendjen nga Reforma në Drejtësi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë të bindur se mungesa e drejtësisë provokon paqëndrueshmëri politike dhe korrupsion, çka në një vend ballkanik si Shqipëria, sjell si pasojë largimin e investimeve të huaja dhe fuqizimin e një grushti sipërmarrësish vendas që kap shtetin, e ashtuquajtur oligarkia, provokon stanjacion të përgjithshëm ekonomik dhe thellim të pabarazive sociale, nuk frenon dot valët e reja të azilkërkuesve dhe në përgjithësi dobëson administratën me ndikime politike dhe ryshfet, duke e bërë vendin të paaftë për të luajtur sipas rregullave të Bashkimit Europian.

Rasti i Rumanisë dhe i Bullgarisë tregoi se korrupsioni mund të rezultojë shumë problematik për një vend, edhe kur ai është anëtar i BE-së. Ndaj lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i një kuadri ligjor që do të siguronte zgjedhje të lira dhe të ndershme, – në çdo rast të pakontestuara gjatë rotacionit politik, – janë parakushte për integrimin në Bashkimin Europian. Kjo shpjegon presionin e madh për rezultate konkrete për Reformën në Drejtësi, SMS-në e ambasadës amerikane për disa deputetë kur kërkoheshin vota në mungesë të konsensusit, vizitën e ndihmës-sekretares Nuland në 2016-ën për ndërmjetësimin e konsensusit, njoftimin publik për pasojat negative dhe afatgjata në marrëdhëniet me SHBA të atyre politikanëve që nuk do ta votonin reformën, revokimin e vizave për 30 gjyqtarë dhe prokurorë, shpërthimin e ambasadorit Lu ndaj kryeprokurorit Lalla, etj.etj.

Kjo shpjegon interesin thuajse ekskluziv të Bashkimit Europian për Reformën në Drejtësi dhe këmbënguljen për fillimin e zbatimit të saj. Mirëpo Reforma në Drejtësi pret degën e kalbur ku politika dhe gjyqësori janë ulur. Dhe kur partitë panë se nuk kishin forcë për ta zhbërë këtë, sepse ishin përfshirë në një momentum, atëherë u përpoqën gjatë gjithë kësaj kohe që të paktën ta formëzojnë reformën sipas interesave vetjake. Kjo përplasje interesash ka qenë edhe loja politike e katër viteve të fundit në Shqipëri.

Me vizitën e fundit në Prokurorinë e Përgjithshme ambasadori amerikan duket se kërkon t’i presë rrugën çdo tentative politike për të stopuar disa prej dosjeve më të nxehta që janë sot në duart e prokurorëve, si çështja Tahiri, çështja e privatizimit të OSSH-së, apo marrëveshjes së qeverisë me CEZ-in, etj.

Mirëpo kjo nuk është hera e parë që ambasadori amerikan investohet te Prokurori i Përgjithshëm, si p.sh në rastin e Ina Ramës apo edhe të vetë Adriatik Lallës. Çështja është a do të mund ta ndjekë ritmin e ambasadorit Lu, Arta Marku, qoftë edhe si kryeprokurore e përkohshme?

Top Channel