Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Një shpërthim pranë një stacioni autobusësh në Manhattan ka vënë menjëherë në lëvizje policinë njujorkeze, që evakuoi edhe 3 linja metroje.
Raportet në shtypin e huaj tregojnë se, në vendngjarje është gjetur një bombë artizanale, e sipas CNN-it, një person është arrestuar tashmë.
Disa media, ndërkohë, thonë se i ndaluari kishte një lloj mekanizmi me tela në trup, të cilin e mbulonte me xhup, por autoritetet amerikane nuk nxitojnë ende ta përshkruajnë incidentin si një akt me sfond terrorist.
CNN pretendon se nënkalimi nuk duket të ketë qenë shënjestra e të prangosurit. Bomba, sipas gjigantit mediatik amerikan, mund të ketë shpërthyer para kohe, duke i shkaktuar lëndime të rënda atij vet.
Nuk dihet ende nëse ka të plagosur të tjerë, por një sërë autoambulancash mbërritën në vendngjarje, ku policia vendosi menjëherë një perimetër sigurie.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump u informua mbi ngjarjen. Shpërthimi ndodhi në një kalim të nëndheshëm të “Port Authority”, stacioni qendror i autobusëve në Manhattan, përmes të cilit kalojnë çdo ditë me mijëra vetë.
Incidenti vjen vetëm një javë pasi presidenti Trump ngjalli polemika të mëdha e dhunë në Lindjen e Mesme, me vendimin e papritur për të njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Më 31 tetor, Nju Jorku u godit nga një sulm terrorist, përgjegjësinë e të cilit e mori më pas Shteti Islamik. Në atë rast, një person u përplas me kamion mbi një grup njerëzish duke shkaktuar 8 viktima.
Top Channel