Gratë që denoncuan abuzimet seksuale u shpallën në grup si “personazhet e vitit” nga revista “Time”, e cila i pagëzon ato si “thyerëset e heshtjes”.
Lëvizja e lidhur kryesisht me hashtagun “#metoo” (Edhe unë) lindi fillimish kundër producentit të “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, për t’u zgjeruar më pas në një fushatë që përfshiu emra të tjerë të njohur, si aktori Kevin Spacey, komediani Luis C. K., e shumë të tjerë.
“Denoncueset nisën një revolucion të refuzimit, duke fituar fuqi çdo ditë e më shumë, e gjatë dy muajve të fundit, zemërimi i tyre kolektiv prodhoi rezultate tronditëse. Gati çdo ditë, drejtues ekzekutivë, manjatë apo yje të spektaklit janë shkarkuar nga puna të turpëruar. Në disa raste janë ngritur akuza kriminale”, pohon revista prestigjioze, që e cilëson këtë si lëvizjen sociale të përhapur më shpejt në dekada.
Mes pretendentëve kryesorë për titullin këtë vit ishte presidenti Donald Trump, i cili pozicionohet i dyti. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpall njeriu i vitit në 2016-n, kur revista e përkufizoi si presidentin e Shteteve “të ndara” të Amerikës.
Vendi i tretë shkon për udhëheqësin kinez, Xi Jinping. Në një traditë të nisur që prej vitit 1927, “Time” shpall çdo vit një figurë, si personin që ka ndikuar më shumë në ngjarjet e vitit, në të mirë apo në të keq.
Top Channel