Top Story, historiku i përmbytjeve

05/12/2017 11:37

Ndër vite Shqipëria është përballuar me një sërë përmbytjesh, ku natyra, por dhe dora e njeriut ka bërë që lumenjtë të dalin nga shtratet e tyre, e të marrin përpara gjithçka: toka bujqësore, banesa, bageti, e gjithçka tjetër.

Por, në kujtesën e shkurtër të shqiptarëve, përmbytjet që do të mbahen mend më gjatë janë ato të 2010-2011, në zonën e Shkodrës. Për shkak të prurjeve të shumta në Drin, tre hidrocentralet që ndodhen përgjatë këtij lumi u detyruan të hapnin portat e shkarkimit, çka do të sillte që e gjithë zona e Nën Shkodrës, Shkodra dhe Lezha të mbuloheshin nga uji, e t’i ngjante gati-gati një Venecia të vogël.

Niveli i ujit ishte mbi 1 metër në qytet, çka solli që e vetmja mënyrë për të kaluar rrugët e qytetit të ishte nëpërmjet varkave. Situata do të përsëritej dy vjet rresht, ku të përmbytyra do të rezultonin mbi 14000 hektarë tokë, 1200 godina e mbi 12 mijë njerëz u deshën të evakuohen nga banesat e tyre.

Për të paktën 4 vjet situata u duk se u normalizua dhe veç përmbytjeve sporadike, nuk do të regjistroheshin dëme të mëdha, deri në shkurtin e vitit 2015. Por këtë herë përmbytjet do të zhvendoseshin në Jug të Shqipërisë, e pikërisht në rrjedhën e Lumit Vjosë.

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, kryesisht në malet e Pindit në Greqi, aty ku është dhe burimi i Lumit Vjosë, 9992.6 Hektarë tokë, kryesisht në fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës, si Mifol, Novoselë, Bishan, Fitore e Poro do të mbuloheshin nga uji.

709 do të ishin banesat e dëmtuara plotësisht apo pjesërisht nga vërshimi i Vjosës, 300 biznese, 16 shkolla dhe 10 ura të dëmtura, do të ishte bilanci i furisë së Vjosës në shkurtin e 2015.

Do të kalonin më shumë se dy vjet nga kjo ngjarje, që historia të ripërsëritej. Fillimisht do të ishte alarmi i dhënë nga sinoptikanët grekë më 29 nëntor.

“Edhe në Shqipëri kushtet do të jenë tepër të këqija. Do të kemi shira të vazhdueshëm, nga e enjtja deri të shtunën të paktën, reshje të cilat do kenë edhe tension edhe vazhdimësi dhe ndoshta shkaktojnë edhe probleme, rritje të menjëhershme të nivelit të lumenjve dhe përrenjve, përmbytje në zona të caktuara, ose edhe rëshqitje dheu”, parashikonte Sakis Arnautoglou.

Por edhe Instituti i Gjeoshkencës në Shqipëri dha alarmin se Fieri dhe Vlora do të ishin zonat më të prekura nga reshjet, ku dhe rrezikohej që Vjosa të dilte nga shtrati. Por të prekuara do te ishin dhe zona të tjera si Fushë-Kruja, Shijaku, Valiasi.

Menjëherë u vunë në lëvizje Shtabet e Emergjencave në këto dy qarqe, të cilat morën masa për eliminimin e dëmeve që mund të sillnin përmbytjetet. E ashtu siç ishte paralajmëruar, të premten në mëngjes, Vjosa dha shenjat e para të një përmbytjeje të mundshme, shenja këto që u përforcuan gjatë orëve në vijim, të cilat sollën dhe daljen e saj nga shtrati.

Ndryshe nga 2 vite më parë, rezulton se këtë herë Vjosa la nën ujë 10622 hektarë tokë, 4700 banesa, 41 biznese, u dëmtuan 56 shkolla dhe 65 ura në të gjithë Shqipërinë. Por, ndryshe nga dy vite më parë, ku përmbytjet sollën dëme të shumta për fermerët dhe blegtorët, ku qindra bagëti u mbytën, këtë herë vetë banorët përgjatë rrjedhës së Vjosës kishin marrë masat, duke larguar bagëtitë e duke i strehuar ato në vende të parrezikuara nga prurjet e lumit.

Por një gjë mbetet e njëjtë si dy vite më parë; pas çdo përmbytje, banorëve të fshatrave të Novoselës dhe Levanit u duhet të rinisin jetën nga e para. Kush është përgjegjës për këtë? Një “trilemë” mes vetë banorëve, natyrës dhe pushtetit që sjell zemërimin e Vjosës.

Top Channel