FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim përllogarit se Shqipëria ka nevojë për 6 miliardë euro investime në pesë vitet e ardhshme për të ndërtuar një infrastrukturë si ajo e vendeve të zhvilluara.
Në raportin e fundit të tranzicionit BERZH vëren se për periudhën 2018-2022, Shqipëria duhet të investojë çdo vit 1.2 miliardë euro ose rreth 11 për qind të prodhimit kombëtar në projekte publike për të mbyllur hendekun që ka me vendet e zhvilluara.
Në vitin 2018, qeveria parashikon të investojë 655 milionë euro ose gati dy herë më pak nga sa BERZH përllogarit se janë nevojat e vendit. Kjo do të thotë se në 5 vitet e ardhshme, Shqipëria do të ketë një deficit gati 3 miliardë euro për investimet publike.
Por ku kërkohen këto investime? Sipas BERZH, gati gjysma e shifrës, pra rreth 600 milionë euro në vit duhet të shkojnë si investime në sektorin e energjisë, si në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes ashtu dhe në ndërtimin e burimeve të reja energjetike.
Rreth 40 për qind ose 450 milionë euro në vit nevojiten në ndërtimin e rrugëve, ndërsa pjesa e mbetur duhet të shkojnë si investime për ujësjellsat dhe sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Përballë pamundësisë së buxhetit për të mbështetur investime kaq të mëdha, qeveria ka nisur një program koncesionesh me vlerë 1 miliardë euro, përmes të cilit synon të financojë projektet publike me kapital privat. Por programi është shndërruar në një temë të nxehtë të debatit politik, pasi opozita ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tij duke e cilësuar si një instrument për pastrimin e parave të drogës.
Top Channel