Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pret gjithashtu një përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve lokale në Prishtinë, ku siç thotë anëtari i saj Arbër Vllahiu, epërsia e Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes është vetëm 200 vota.
Avantazhi i Ahmetit, sipas Vllahiut do të venitet pas numërimit të votave me kusht. Anëtari i AAK-së shprehet gjithashtu se, mbase do të ishte i nevojshëm dhe një rinumërim i votave në total.
“Nuk dua të dyshohet në procesin zgjedhor, – u shpreh ai, – dhe nuk dua të besoj se ka pasur manipulime. Por nëse ngrihen shqetësime, ato duhet verifikuar”.
Të enjten pritet të mësohet përfundimisht emri i fituesit të zgjedhjeve në Prishtinë dhe Prizren, kur do të numërohen votat me kusht dhe ato me postë. Rezultati i ngushtë mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit në Prishtinë e ka tensionuar situatën politike në të dy kampet.
Vetëvendosja është e bindur se votat me kusht nuk e përmbysin rezultatin, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se konfirmimi i fitores së saj në kryeqytet është çështje ditësh. Një ditë më parë, PDK-ja doli me pretendimin e shkeljeve në Prizren, ku tha se i janë marrë gabimisht 200 vota e i janë vendosur Vetëvendosjes.
Partia Demokratike e Kosovës këmbëngul po kështu se në këtë qytet kanë votuar edhe qytetarë nga komuna të tjera. Ajo ia përcjell shqetësimin KQZ-së, e thotë se mund t’i përmendë edhe emrat e personave në fjalë.
Top Channel