Shoferi i shkrimtarit: Nerudën e vranë

21/11/2017 12:25

Poeti i madh kilian Pablo Neruda nuk vdiq nga kanceri në prostat siç u tha në 1973-shin, dy javë pas grushtit ushtarak të shtetit të drejtuar nga gjenerali Augusto Pinochet.

Manuel Araya, ish shoferi i laureatit të Nobelit ka pretenduar gjithmonë se Neruda u helmua nga shërbimi sekret. Analizat e reja konfirmojnë variantin e tij se gjigandi i letrave nuk ndërroi jetë nga sëmundja e rëndë, megjithatë ende nuk mund të tregojnë se cili ishte shkaku i vërtetë i vdekjes.

Poeti vuante vërtetë nga kanceri në prostat, siç shpjegon doktor Aurelio Luna, por ai nuk ishte në fazën që t`i kërcënonte jetën. Ekspertët tani janë 100% të bindur se në këtë mes mund të jetë përfshirë një palë e tretë dhe se certifikata e vdekjes nuk e pasqyron në masen 100% arsyen e vërtetë të saj. Nisur nga këto zhvillime është vendosur të kryhen teste mbi një toksinë të gjetur në eshtrat e poetit të madh, të zhvrarrosura me urdhër gjykate në 2013-tën. Zbardhja e rezultatit të tyre mund të kërkojë deri në një vit kohë.

Neruda ishte mbështetës dhe mik personal i presidentit të përmbysur socialist kilian, Salvador Allende. As e shoqja Matilde nuk e besoi kurrë variantin  e vdekjes së tij nga kanceri. Neruda ndërroi jetë 23 shtatorin e vitit 1973, 12 ditë pas grushtit ushtarak dhe tre ditë pasi i ishte ofruar azil në Meksikë. Ditën që vdiq, sipas Araya-s, e kishte marrë në telefon për t’i thënë se i kishin injektuar dicka në bark ndërsa flinte dhe i kishte kërkuar të shkonte sa më shpejt në spital.

Poeti u shua atë mbrëmje dhe Araya nuk ka asnjë dyshim se atë e vranë. Nuk kam për ta ndryshuar variantin tim të historise deri në ditën që do të mbyll sytë, tha ish shoferi për BBC-në në 2013-tën; ata nuk donin që ai të largohej nga vendi, ndaj dhe e helmuan.

Top Channel