Putin takohet me Assad: Duhet zgjidhje politike për Sirinë

21/11/2017 11:36

Në takimin e tyre të parë publik prej dy vitesh, Vladimir Putin i dha një përqafim homologut sirian, Bashar al-Assad, e i tha se fushata ushtarake në Siri po i afrohet fundit, ndonëse mbetet ende shumë për të bërë.

Shefi i Kremlinit lavdëroi punën e tyre të përbashkët për të luftuar terrorizmin, duke i mëshuar njëkohësisht nevojës për një zgjidhje në rrafshin politik, e shtoi se me këtë në mendje do ta diskutojë çështjen në telefon me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Emirin e Katarit.

“Kemi ende rrugë të gjatë për të bërë për arritjen e një fitoreje të plotë mbi terroristët. Por, për sa i takon përpjekjeve tona të përbashkëta në kuadrin e luftës kundër terrorizmit në territorin e Sirisë, ky operacion ushtarak realisht është duke u përmbyllur”, tha Putin.

Si shefi i Kremlinit, ashtu dhe udhëheqësi i regjimit sirian i kanë përshkruar me kohë rebelët si terroristë. Tani, megjithatë, që të dy janë dakord me faktin që fokusi në konfliktin sirian ka nisur të spostohet nga operacionet ushtarake te zgjidhja politike e ngërçit.

Assadi e bëri të qartë se mbështetet te Moska për t’u siguruar që në këtë proces të mos ketë ndërhyrje nga “lojtarë të jashtëm”. Presidenti sirian qëndroi për 4 orë në tokën ruse. Takimi i rrallë, i zhvilluar në resortin e Sochit në Detin e Zi, erdhi përpara bisedimeve që aleatët e Damaskut, Rusia dhe Irani përgatiten të mbajnë me Turqinë, mbështetëse e rebelëve.

Të trija fuqitë e kanë shtuar gradualisht bashkëpunimin këto muajt e fundit, lidhur me krijimin e të ashtuquajturave zona të “uljes së tensioneve”, që synojnë zbutjen e luftimeve anembanë Sirisë.

Top Channel